Hakmarrja e SHBA-së: Goditen 85 objektivë në Siri e Irak! Biden: S’falim gjakun amerikan!

03/02/2024 13:20

85 objektivë janë goditur në Siri e Irak, ku hakmarrja amerikane është përplasur mbi baza që njihen si filo-iraniane.

Gjatë natës, në harkun kohor të vetëm 30 minutave, Shtetet e Bashkuara goditën me dhjetëra shënjestra në katër zona në Siri dhe tre në Irak, të lidhura me Forcat Quds të Pasdaranit dhe milicitë pro-iraniane. Sulmi ishte një forme hakmarrjeje për vrasjen e tre ushtarëve amerikanë në një bazë në Jordani, e cila shënoi një përshkallëzim në luftën në Lindjen e Mesme. Ai erdhi vetëm pak orë pasi Presidenti Biden dhe drejtuesit më të lartë ushtarakë iu bashkuan familjarëve të tre ushtarëve të vrarë, trupat e të cilëve u kthyen në Shtetet e Bashkuara, ku u pritën me një ceremoni solemne në bazën ajrore Dover, në Delauer. Biden e bëri të qartë se “përgjigja e Amerikës do të vazhdojë në kohën dhe në vendet që ne do të vendosim”.

Asnjë nga sulmet sakaq nuk ka ndodhur në Iran. Qendrat e komandës dhe inteligjencës, e depot e raketave dhe dronëve që u goditën, ishin përzgjedhur si të përfshira drejtpërdrejt në sulmet e vazhdueshme kundër amerikanëve”, pohoi  gjenerali Douglas Sims, kreu i operacioneve të përbashkëta të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA. Gjenerali Sims shpjegoi se në ofensivën ajrore ishin përfshirë avionë bombardues B1, të nisur nga Shtetet e Bashkuara. Koha e goditjes sipas tij, u diktua nga kushtet atmosferike, për të siguruar një saktësi më të lartë e për të shmangur viktimat mes civilëve. “Mesazhi është: nuk duam të shohim më as edhe një sulm të vetëm kundër trupave tona. Nuk po kërkojmë luftë me Iranin apo konflikt në Lindjen e Mesme, por nëse prekemi, do të reagojmë”, përsëriti John Kirby, zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas zyrtarëve iranianë, nga sulmet u vranë 10 persona, ndër të cilët tre irakianë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA