Të enjten e një shkurtit ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që thotë se e vetmja valutë për transaksione dhe pagesa me para të gatshme është euro.
Shqetësimi i ngritur nga bashkësia ndërkombëtare për qytetarët serbë që marrin ndihma financiare në dinarë nga shteti i Serbisë ka bërë që Kosova të ofrojë fazë tranzitore dhe fushatë informimi për këta qytetarë.
Megjithatë, Bashkimi Evropian kërkon me shume kohë dhe zgjidhje përmes dialogut.
“BE-ja i kërkon Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në njoftim.
Dialogimi për çështje të reja shihet si e rrezikshme për Kosovën.
“Nëse janë të pakoordinuara dhe jo në pajtueshmëri me partnerët strategjik, mund të sjellë sërish masa dhe veprime me pasoja për të ardhmen e Kosovës në rrugën drejt integrimit në strukturat euroatlantike“, shprehet Visar Xani, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se çështja e dinarit nuk është e negociueshme.
Kosova që nga viti 2002 përdorë si valutë euron, përkundër kësaj në komunat me shumicë serbe, si mjet pagese përdoret valuta e Serbisë dinari.
Top Channel