Jurgen Klopp dhe Xavi Hernandez, njoftuan se në fundin e sezonit do të lirohen nga detyrat aktuale, respektivisht te Liverpool dhe Barcelona.
Vendime të cilat surprizuan jo pak duke qenë se vijnë në kulmin e sezonit, me skuadrat e tyre që janë të impenjuara në kompeticionet më të rëndësishme.
Megjithatë, dyshja e sipërpërmendur pritet të ndiqet edhe Mikel Arteta. Sipas mediave spanjolle, 41-vjeçari ka lajmëruar drejtuesit e Arsenal se në fundin e sezonit aktual, do të paraqesë dorëheqjen edhe pse ka një kontratë të vlefshme deri në vitin 2025. Spanjolli e ka marrë drejtimin e “The Gunners” në vitin 2019 dhe pas pesë vitesh në Londër, e konsideron si të mbyllur ciklin me londinezët.
Në Spanjë, pretendojnë se Arteta është i “joshur” nga ideja për të pasuar Xavin te Barcelona dhe ky vendim për t’u larguar nga Arsenal, ka të bëjë pikërisht me katalanasit. Arteta e ka një të kaluar me Barçën, pasi si lojtar është rritur me skuadrën e të rinjve të blaugranave, edhe pse pa debutuar kurrë me ekipin e parë, raporton Supersport.
Por, tashmë duket se tekniku bask ëndërron të drejtojë projektin e klubit për ta rikthyer sërish në majën e Europës. Gjatë kësaj periudhe me Arsenal, Arteta fitoi dy Community Shield dhe një FA Cup ndërsa këtë sezon, ashtu si në të kaluarin, me “topçinjtë” do të synojë edhe titullin e Premier League.
Top Channel