I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se kanë diskutuar për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Lajçak ka qëndruar mëngjesin e sotëm në Beograd. Ai ka shkruar në X, se në takimin me Vuçiç, fokus i diskutimeve ka qenë perspektiva strategjike për vitin 2024, por gjithashtu kanë bërë një bilanc për të arriturat dhe ngecjet në dialog.
Sipas Lajçak, në këtë takim kanë folur edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka kërkuar anulimin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme në Kosovë.
Vuçiq tha se e ka pasur një “takim konstruktiv dhe shumë të dobishëm” me Lajçakun.
“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, shkroi Vuçiç në profilin e tij në Instagram, pas takimit me Lajçak.
Top Channel