Plani i Rritjes dhe Tregu i Përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor synon t’i përafrojë këto shtete me Bashkimin Evropian duke promovuar mes tjerash edhe fqinjësinë e mirë.
Por, në rastin e Kosovës e Serbisë kjo është vështirë e arritshme, për shkak të çështjeve politike të pazgjidhura.
“Në qoftë se nuk do të kemi ndryshim të qasjes nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përmbyllur konfliktin më të madh që e karakterizon Ballkanin Perëndimor, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, e shoh të pamundur realizimin e kësaj agjende”- shprehet profesori Arben Fetoshi.
Në Samitin në Shkup vendet e rajonit u informuan për pasojat që mund të kenë në rast të bllokimit të njëra tjetrës në këtë proces, e kjo erdhi si mesazh pikërisht për Kosovën dhe Serbinë.
“Detyrim i palëve në këtë rast Kosovës dhe Serbisë që t’i përmbushin detyrimet që kanë marrë me Marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit me qëllim që të evitohet çfarëdo shansi që Serbia të përdorë metoda të njëjta si në rastin e Banjskës”.
Pengesat që Serbia i bën Kosovës qoftë në politikë por edhe në ekonomi, rrezikojnë të lënë prapa edhe gjithë rajonin.
“Politikat destruktive të Serbisë po e pengojnë gjithë rajonin që të orientohen drejt reformave ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve”- shprehet Dritëro Arifi.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të zbatojnë marrëveshjen bazike për normalizim në mënyrë që të ecin tutje në rrugën tyre të integrimit.
Top Channel