Ekskluzive/ Apeli përmes Top Channel! Palestinezi me leje qëndrimi në Shqipëri: Ju lutem më nxirrni nga Gaza

28/01/2024 19:40

Ky është palestinezi Nahedh Abdelwahed, i cili emigroi në Shqipëri në vitin 2016, duke u pajisur me leje pune dhe tani ai gëzon lejen e qëndrimit të përhershëm në vendin tonë.

Ai ka mbaruar arsimin e lartë për gazetari  dhe ka regjistruar në Shqipëri një biznes me objekt veprimtarie  Turizëm, përfshi aktivitete televizive, trajnime të ndryshme për menaxhim.

Vitin e kaluar ai shkoi për të vizituar familjen në Gaza, ku ndodhet i bllokuar bashkë me familjen, si pasojë e agravimit të luftës Izrael-Hamas.

Përmes një video-mesazhi, dërguar gazetarit të  Top Channel Muhamed Veliu, ai apelon për ndihmë për t’u evakuuar nga Gaza.

“Unë i kërkoj qeverisë shqiptare të më ndihmojë mua dhe familjen time, të na nxjerrë nga Rripi i Gazës, në Kajro. Siç mund ta shikoni pas meje në këtë shtëpi ku unë jetoj është e shkatërruar nga forcat ushtarake izraelite. Këtu ku unë jetoj dhe në të gjithë Rripin e Gazës është e njëjta situatë. Në kushtet kur unë kam një leje qëndrimi në Shqipëri, i lutem qeverisë së Shqipërisë të na evakuojë prej Gazës drejt Kajros, e më pas të rikthemi në Shqipëri. Çdo gjë këtu në Rafa, qytetin ku unë jam është shkatërruar përfshi xhamitë dhe kishat”, thotë Nahedh Abdelwahed.

Nahedh Abdelwahed e bazon këtë kërkesë drejtuar autoriteteve shqiptare, në ligjin shqiptar për të huajt ku në nenin 96 thuhet: “Banorët afatgjatë gëzojnë të drejtat ekonomike, shëndetësore dhe sociale, të njëjta me shtetasit shqiptarë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”

Pas apelit për ndihmë në Top Channel, të dy shqiptaro palestinezëve Amal Ashour dhe të vëllait Iliad, u vu në lëvizje Ministria e Punëve të Jashtme, e cila së bashku me ambasadën tonë në Egjipt, mundën t’i evakuojnë nga Gaza në muajin Nëntor 2023.

Ata tani jetojnë bashkë me fëmijët e tyre në Tiranë.

Top Channel