Nga foltorja e Kuvendit, Ali Ahmeti e ka konsideruar përzgjedhjen e një kryeministri shqiptar në krye të qeverisë së 100 ditëve të Maqedonisë së Veriut, si një ditë historike për të gjithë shqiptarët.
Gjatë fjalës së mbajtur, Ahmeti bëri edhe një kundër replikë me Antonio Milloshovskin për komunën e Kërçovës, duke i thënë se shqiptarët dhe maqedonasit nuk kanë jetuar kurrë më parë më harmoni se sot.
Ahmeti gjithshtu iu drejtua Pavle Trajnov me një pyetje: “kur kanë qenë më mirë tani që jemi të barabartë apo para 20-30 viteve kur shqiptarët kur ishin të persekutuar”.
“Nuk është e vërtetë që ju jeni qiraxhi, por është një e vërtetë që marrëveshja e Ohrit, i dha të drejtë Talat Xhaferit të jetë zot në shtëpinë e tij. Kjo marrëveshje nuk u ndryshoi vetëm shqiptarëve gjendjen, por me këtë marrëveshje fituan të gjithë që jetojnë në Maqedoni, si turqit, romët, serbët, etj“- tha Ahmeti, duke shtuar se “lufta e ftohtë ka mbaruar dhe tani është një luftë shurdhe, një luftë me armë bërthamore, duke shtuar se Moska ka shkelë mbi dinjitetin dhe sovranitetin e Ukrainës, prandaj ne duhet të jemi të kujdesshëm se çfarë politikash do të drejtojmë. A do të mbetemi peng i atyre ideve që kokën e kanë në Moskë, e trupin në Europë?! Prandaj pa dallimi përkatësia duhet të themi JO RUSISË, PO EUROPËS.”
Nga ana tjetër, deputeti i Aleancës për Shqiptarët Elmi Aziri ka thënë se forca e tij politike do të mbështes Talat Xhaferin si kryetar të qeverisë teknike, edhe pse mund të duket si simbolik dhe teknik.
“Sot jemi këtu për të diskutuar rreth qeverisë teknike. Ky ndryshim i kryeministrit sado që të jetë simbolik apo edhe ndryshim teknik, unë jam i lumtur që do të votojë Talat Xhaferin si kryeministër i vendit. Ne e kemi mbështetur Xhaferin edhe kur ishte më rëndë, atëherë kur kishte trazira për zgjedhjen e tij si kryetar kuvendi në vitin 2017 ku ne si parti sakrifikuam gjithçka”- tha Aziri, deputet i ASH-së.
Top Channel