Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ia dorëzoi sot pasdite mandatin për formimin e qeverisë teknike ish-kryetarit të Parlamentit, zotit Talat Xhaferi, ndërsa parlamenti zgjodhi Jovan Mitreskin për kryetar të ri të tij.

Zoti Xhaferi tha se me përgjegjësi të plotë do t’i zhvillojë bisedimet për formimin e kabinetit të ri qeveritar, që “do t’i përkushtohet mirëqenies së qytetarëve të vendit”.

Talat Xhaferi dje dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Parlamentit për t’i hapur rrugën formimit të qeverisë teknike. I mandatuari Xhaferi pritet që nesër t’ia dorëzojë parlamentit programin dhe listën e emrave të kabinetit të tij.

Por, në të vërtetë, vetëm dy ministra do të jenë të rinj në kabinetin e tij dhe ata janë përfaqësues të VMRO-DPMNE-së opozitare; njëri do të marrë në drejtim Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe tjetri atë të Çështjeve Sociale. VMRO-ja do të ketë edhe tre zëvendës-ministra në kabinetin teknik.

Parlamenti do të mblidhet në seancë të dielën për të debatuar lidhur me programin dhe kabinetin e Talat Xhaferit, ndërsa deri në mesnatën e së dielës pritet të votohet dhe miratohet qeveria teknike.

Zoti Xhaferi do të jetë kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut, megjithëse me një mandat të përkohshëm prej 100 ditësh. Qeveria e tij teknike do të organizojë zgjedhjet e dyfishta: ato parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen më 8 maj.

Kjo do të jetë qeveria e tretë teknike pas marrëveshjes së vitit 2015 që synonte të pengojë manipulet në zgjedhje, duke emëruar përfaqësues të opozitës në kabinetin qeveritar.

Ndërkohë, Parlamenti në Shkup po sot zgjodhi Jovan Mitreskin për kryetar të ri. 43-vjeçari Mitrevski deri më tani ka qenë bashkërendues i grupit të deputetëve të Lidhjes Social Demokrate. Ai u zgjodh me 64 votat e shumicës parlamentare, ndërsa 40 ligjvënës opozitarë votuan kundër tij./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA