Procesi i integrimit të Kosovës në  Bashkimin Evropian, duhet të ndahet nga ai i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, kërkon kryeministri i Kosovës.

Albin Kurti edhe këtë të premte ka përsëritur kërkesën e njëjtë pasi konsideron se Kosova nuk duhet të mbes peng i dekonstuktivitetit të Serbisë.

“Destruktiviteti i Beogradit nuk do të duhet të përkthehet në ngadalësim të progresit të Kosovës, e kuptojmë rëndësinë e fqinjësisë së mirë, por kur mungon fqinjësia e mirë, do të duhej të konstatohet edhe përgjegjësi për këtë gjë e që nuk është te Prishtina zyrtare, por te Beogradi zyrtar”, tha Kurti.

Megjithatë, nga Bashkimi Evropian kanë bërë të ditur edhe një herë tjetër se anëtarësimi në bllok për Kosovën e Serbinë garantohet nga progresi i palëve në procesin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë që nëse Bashkimi Evropian pret që Kosova e Serbia të arrijnë marrëveshje për normalizim me vullnet një gjë e tillë mund të zgjasë pambarimisht.

“BE për aq kohë sa nuk po gjen mekanizmat e duhur politik dhe institucional për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi natyrisht që përveç që nuk do të ketë marrëveshje të shpejt mes Kosovës dhe Serbisë, e ardhmja e tyre mbetet shumë e largët me BE-në”, u shpreh Imeri.

Marrëdhëniet e mira fqinjësore, pajtimi dhe marrëdhëniet normale janë gurët e themelit të procesit të anëtarësimit në BE për çdo shtet aspirant. Për të arritur këtë, Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 janë në proces të dialogimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Top Channel