Dëshmia e ish-presidentit Donald Trump në gjyqin kundër tij për shpifje ndaj autores E. Jean Carroll përfundoi pothuajse menjëherë sapo filloi.

Trump përsëriti qëndrimin e tij se pretendimi i zonjës Carroll se ai e kishte përdhunuar atë ishte një sajesë.

I pyetur nga avokatja e tij Alina Habba në gjykatën e Manhatanit nëse i qëndronte dëshmisë së tij të tetorit 2022 në çështjen e zonjës Carroll, ai u përgjigj: “100% po”.

Më herët të enjten, avokatët e zonjës Carroll shfaqën video nga dëshmitë e zotit Trump ku ai e quante atë “të sëmurë mendërisht” dhe e kërcënonte se do ta padiste.

“Është një akuzë e rreme, nuk ka ndodhur kurrë, nuk ka se si të ndodhte”, shprehej zotiTrump.

Zonja Carroll, 80 vjeç, po kërkon të paktën 10 milionë dollarë dëmshpërblim lidhur me deklaratat e ish-presidentit Trump në qershor 2019, ku ai mohonte se e kishte përdhunuar atë në mes të viteve 1990 në dhomat e provave të një dyqani veshjesh në Manhatan.

Zoti Trump, 77 vjeç, e ka akuzuar autoren Carroll se e kishte bërë akuzën për të shtuar vëmendjen për shitjen e biografisë së saj.

Majin e kaluar, një tjetër juri e urdhëroi zotin Trump t’i paguante zonjës Carroll 5 milionë dollarë për një mohim të ngjashëm ndaj akuzave të saj në tetor 2022. Ai po e apelon atë urdhër. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA