Datën e saktë e lindjes dhe vdekjes së Ismail Qemalit e kemi ditur gabim, studiuesi tregon si e zbuloi dokumentin

26/01/2024 15:34

Një dokument i marrë nga regjistri i gjendjes civile në Bruksel, në vitin 1900, zbulon datën e saktë të lindjes së babait të kombit shqiptar, Ismail Qemali.

Sipas dokumentit, data e lindjes së tij është 24 janar 1844, dhe jo 16 janar, siç shpesh është thënë në librat e historisë në Shqipëri, por edhe është festuar nga institucionet tona.

Everest Beqiri, autor i librit “Themeluesi”, i cili ka publikuar dokumentin, i ftuar në “Shqipëria Live”, tregon si e zbuloi dokumentin.

“Pas arratisjes së tij të bujshme, në maj të 1900-ës, largohet nga Stambolli, për në Pire. Ndërmerr një vizitë në Romë dhe ndalet në Bruksel, ku takohet me Faik Konicën. Merr drejtimin e gazetës ‘Albania’, ku ka deklaruar gjeneralitet e tij civile”, tha Beqiri.

Si e zbuluar këto dokumente?

“Dokumentet janë aty, se po flasim për një dokument të 1900-ës, kështu që patjetër familja e tij dhe Dalin Vlora, stërnipi i tij, që është i kujdesshëm për periudhat historike të familjes, jam takuar me të dhe kemi përditësuar datat”, tregon Beqiri.

“Gjenden në dokumente data të ndryshme të lindjes dhe vdekjes, përfshihen në librat e historisë dhe marrin për bazë data jo të vërteta. Duhet marrë me rezerva sepse nuk shkruheshin nga vetë personi”, tha koleksionisti Eros Hoxha, duke lënë të nënkuptohet se mund ta ketë shkruar dikush tjetër.

Gjithashtu Beqiri, u bëri thirrje institucioneve që të saktësojnë datat dhe dokumentet zyrtare, kryesisht për personazhe me ndikim në historinë e Shqipërisë.

“Detyra u lind institucioneve të sqarojnë këto gjëra dhe i njoh mirë këto dokumente zyrtare. Flasim për një personazh qendror të historisë sonë. Duhen parë të gjitha dokumentet dhe të saktësohen këto gjëra. Skënder Luarasi, i cili e ka takuar Ismail Qemalin, shkruan 24 janarin, datën e lindjes, merrni parasysh edhe biografë të tjerë. Nuk bëhen shaka gjëra të tilla”, tha ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA