Zabaleta “fillon shkollën” në Shqipëri! Zëvendës trajneri i Kombëtares po kryen kursin “UEFA Pro” në FSHF

25/01/2024 15:58

Federata Shqiptare e Futbollit po organizon edicionin e radhës të kursit “UEFA PRO”, që është edhe niveli më i lartë për një trajner futbolli.

Një ndër kursantët e këtij edicioni është edhe zëvendës-trajneri i ekipit Kombëtar, Pablo Zabaleta, ish-futbollist i kombëtares së Argjentinës si edhe disa klubeve në Europë, si Manchester City, Espanyol, West Ham United, etj.

“Ecuria ka qenë shumë e mirë, është shumë intensive. Kalojmë shumë orë me leksionet e kursit, por mendoj se shkëmbimi i eksperiencës me ish-lojtarë, ku disa prej tyre janë trajnerë skuadrash, të cilët janë pjesë e fushës së futbollit prej kohësh është një gjë e shkëlqyer për të gjithë studentët të cilët duan të mësojnë”, tha Zabaleta.

Sa i përket rëndësisë së kursit “UEFA PRO”, zëvendës-trajneri i Kombëtares thekson se roli i një trajneri ka të bëjë me menaxhimin e skuadrës në shumë aspekte.

“Është shumë e rëndësishme për të gjithë ne, edhe pse kemi vite që luajmë futboll. Por edhe për futbollin gjithashtu është e rëndësishme, pasi kur bën trajnerin, ti duhet të komunikosh me lojtarët. Futbolli nuk është vetëm ai që luhet në fushë. Si trajner duhet të menaxhosh gjithçka”, u shpreh ai.

Zabakleta thekson se gjuha e futbollit është universale, pavarësisht nga shteti që të pajis me një certifikatë profesionale.

“Mendoj që struktura e Federatës Shqiptare të Futbollit është shumë e mirë dhe do të ndihmojë shumë veta të bëhen trajnerë dhe të jenë të mirëpërgatitur për atë moment, që të zbresin në fushë dhe të menaxhojnë lojtarë dhe ekipe futbolli të ndryshme”.

Top Channel