Nën masa të larta sigurie, ka nisur në gjykatën e Durrësit, seanca për vleftësimin dhe caktimin e masave të sigurisë, për 43 nga të arrestuarit e operacionit “Tempulli 2”, për goditjen e shpërndarësve të lëndëve narkotike.
Mes tyre dhe djali i një punonjësi policie dhe një grua.
Për shkak të numrit të madh të të arrestuarve, seanca ka nisur me vonesë dhe më pas është ndërprerë përkohësisht me kërkesë të disa avokatëve, për t’u njohur me materialin e Prokurorisë.
Gjyqtarja Besjana Garxenaj ka rinisur seancën, ndërsa një ditë më parë ajo caktoi dhe masat për 6 të arrestuar të tjerë të këtij operacioni. 3 prej tyre u lanë arrest në burg, ndërsa 3 të tjerët në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Për goditjen e këtij grupi masiv të shpërndarësve të drogës në territorin e Durrësit janë përdorur metoda speciale të hetimit, kryesisht metoda e blerjes së stimuluar.
Ditën e sotme, policia e Durrësit njoftoi dhe ekzekutimin e urdhrit të ndalimit për një 33-vjeçar i cili ishte shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”.
Si rezultat i kësaj faze të megaoperacionit kundër lëndëve narkotike në Durrës janë arrestuar 53 persona, 3 prej të cilëve me vendim paraprak gjykate, dhe janë në kërkim ende 10 të tjerë. Ndërkaq u sekuestruan gjatë operacionit lëndë narkotike e llojit kokainë, heroinë dhe kanabis, një sasi parash, armë të ndryshme dhe municion, si dhe automjete dhe pajisje për ndarjen e dozave.
Top Channel