Dhjetëra persona, të arrestuar gjatë megaoperacionit “Tempulli 2”, për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike kanë dalë sot para gjykatave në disa qytete.

Në Korçë, për tri ditë rresht u mbajtën disa seanca, ku prokuroria kërkoi masën e arrestit në burg për të arrestuarit në flagrancë, ndërsa pjesa tjetër u njoh me masën e vendosur paraprakisht. Sot u mbajt seanca e fundit ndaj 10 të arrestuarve, ndërsa dy ditët më parë janë mbajtur 2 seanca të tjera me 11 të arrestuar të tjerë.

Seanca vazhdon në gjykatën e Elbasanit për vendosjen e masës së sigurisë ndaj 24 personave, 18 prej të cilëve të ndaluar në zbatim të urdhërndalimit dhe 6 të arrestuar në flagrance. Ata akuzohen për shpërndarje të lëndëve narkotike në shkolla. Mes të arrestuarve është edhe një këshilltar i djathtë i Këshillit bashkiak të Elbasanit, nën dyshimin për trafik droge.

Edhe në Vlorë, po zhvillohet seanca për shtatë persona të arrestuar në kuadër të operacionit Tempulli 2. Një dite më parë, Gjykata dha masat edhe për pese persona të tjerë, nga të cilët dy në arrest në burg dhe tre në arrest shtëpie.

Në të gjithë vendin, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli 2”, në bazë të provave të siguruara nga 66 procedime proaktive të ndjekura nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokuroritë respektive, u siguruan 299 masa sigurie dhe 306 vendime kontrolli. Nga ky operacion u arrestuan dhe u ndaluan 273 shtetas, u shpallën në kërkim 26 shtetas dhe u goditën anëtarë të 7 grupeve kriminale.

Gjatë kësaj faze të operacionit “Tempulli 2”, u sekuestruan:  7.5 kilogramë kokainë, 560 kilogramë kanabis, një sasi heroine, 10 armë zjarri, 16 armë gjahu, 3 armë sportive, 9 armë të ftohta, municion luftarak i kalibrave të ndryshëm, 2 granata dore, 1 jelek antiplumb, 184 celularë, 40 automjete, 11 peshore elektronike dhe shuma të konsiderueshme parash (lekë, paund dhe euro).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA