Me 155 vota pro, 115 kundër e dy abstenime, dhoma e ulët e parlamentit Italian ratifikoi marrëveshjen mes Romës dhe Tiranës zyrtare për ngritjen e dy kampeve të refugjatëve në territorin shqiptar, të cilat do të presin 3000 emigrantë.
Agjencia italiane e lajmeve Ansa thotë se ligjvënësit kanë qenë thellësisht të ndarë në qëndrime, por në fund marrëveshja e mori OK-in e dhomës së deputetëve, ku pas votimit, mazhoranca shpërtheu në duartrokitje. Projektligji në fjalë tani kalon në Senat. Marrëveshja u firmos në fillim të nëntorit në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ndërsa u bë publike disa ditë më vonë.
Ndonëse ajo u prit me skepticizëm nga ligjvënës opozitarë në të dy vendet, ndërsa ekspertë ligjorë e konsideruan si të rrezikshme shkeljen e parimit ndërkombëtar të ekstra-territorialitetit, pakti ngjalli interesin e disa vendeve europiane, përfshirë Gjermaninë. Kancelari gjerman Olaf Scholz deklaroi se po e vëzhgonte me interes se si do të implementimet marrëveshja Meloni-Rama për hapjen e qendrave të pritjes së refugjatëve në Gjadër dhe shtoi se ujdia është hetuar nga Komisioni i BE-së, dhe se është në përputhje me të drejtën evropiane.
Edhe kryeministrit të Bavarisë, Markus Söder i cili pohoi se e sheh atë si një model të mundshëm për Europën, duke theksuar “se një zgjidhje e tillë vërtet mund të na ndihmojë”.
Top Channel