Chelsea siguron finalen në mënyrën më të bukur, protagonist edhe Broja

24/01/2024 08:19

Chelsea fitoi me shifrat 6-1 ndaj Middlesbrough dhe “preu” biletën për në finalen e Carabao Cup që zhvillohet në Wembley më datë 25 shkurt.

“Blutë e Londrës” përmbysën humbjen 1-0 të ndeshjes së parë dhe në “Stamford Bridge” përballë spektaktorëve respektuan pritshmëritë duke realizuar një 90 minutësh fantastik, ku protagonist ishte edhe Armando Broja.

Sulmuesi i kombëtares ishte protagonist në golin e parë të londinezëve në minutën e 15, teksa me portën e boshatisur, ai që i mohoi kënaqësinë e golit ishte Hoëson që e dërgoi topin në rrjetë. 14 minuta më pas, Broja sërish në zonë godet, por topi devijohet dhe shkon në këmbët e Enzo Fernandez që nuk gaboi dhe dyfishoi shifrat.

Pas këtij momenti, skuadra e drejtuar nga Michael Carrick mori një goditje të rëndë psikologjike dhe nisën gabimet e njëpasnjëshme dhe në të 36-tën trefishuan me anë të Axel Disasi. Gjashtë minuta më pas ishte radha e Cole Palmer për të shënuar të katërtin dhe për ta mbyllur pjesën e parë me rezultatin 4-0.

Në fraksionin e dytë, vendasit menaxhuan energjitë dhe avantazhin, madje shënuan sërish. Ishte Cole Palmer që realizoi të pestin dhe të dytin personal, kur në brendësi të zonës devijoi saktësisht një pasim të Gallagher.

Katër minuta më pas, festivalin të golave iu bashkua edhe Noni Madueke që realizoi të gjashtin. Ndërkohë, pati vend edhe për golin e nderit nga Middlesbrough që u realizua në minutën e 88 me Rogers. Përfundimisht, 6-1 dhe Chelsea dominoi Middlesbrough duke u kualifikuar me bujë për në finalen e Carabao Cup, ku presin fituesin e ndeshjes mes Liverpool-Fulham, ku të kuqtë kanë avantazhin e fitores së ndeshjes së pare me rezultatin 2-1./ Super Sport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA