Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka thënë se nuk mendon se marrja e emrave të mëdhenj të futbollit dhe sporteve të tjera nga Arabia Saudite është shkak për shqetësim dhe ka premtuar se nuk do të lejojë kurrë që finalja e Ligës së Kampionëve të mbahet atje.
“Kam dëgjuar disa njerëz që thonë se do të ishin shumë të lumtur nëse do ta merrnin”, tha Ceferin në një intervistë për Telegrafin, duke përjashtuar që ndeshja të organizohet jashtë Evropës gjatë presidencës së tij.
“Askush nuk ka folur me mua për këtë, konkretisht. Dhe, padyshim, kjo nuk do të ndodhë,” tha ai. “Tifozët kanë treguar aq shumë respekt për lojën sa nuk do t’ua bëjmë kurrë diçka të tillë”, shtoi ai. Më pas Ceferin foli sërish për lojtarët që shkuan për të luajtur në Arabi, por që tashmë duket se janë penduar dhe duan të kthehen në Evropë.
“Nuk jam aspak i shqetësuar. Sepse futbolli evropian ka rrënjë shumë të forta. Kjo është pjesë e kulturës, e historisë sonë. Nuk mund ta blesh. Nuk mundesh. Futbollistët shkojnë sepse kontratat janë të mëdha. Dhe unë nuk i fajësoj për këtë. Nëse janë afër fundit të karrierës së tyre, ndoshta është një aventurë e re dhe fitojnë shumë para. Nuk dua të fajësoj ata apo diçka të tillë, por të thuash se shkojnë për të ndihmuar është pak a shumë një shaka”, përfundoi Ceferin.
Top Channel