Rënia e skelës në Tiranë/ Të plagosurit vjehrri dhe bashkëshortja e ish-futbollistit të njohur! Shkëmbi për Top Channel: Do ta padis kompaninë ‘Arlis’

23/01/2024 19:00

Familjarët e dy personave që mbetën të plagosur të hënën si pasojë e rrëzimit të një skele nga një pallat në ndërtim në kryeqytet, kanë nisur procedurat ligjore për të depozituar një padi kundër firmës që po kryen punimet.

Ndërkohë policia arrestoi si fajtor njërin nga sipërmarrësit, inxhinierin dhe një punëtor. Pas incidentit të ndodhur të hënën ku dy persona, babë e bijë, u plagosën si pasojë e rrëzimit të një skele nga një pallat në ndërtim, familjarët e tyre kanë njoftuar se do të depozitojnë një padi kundër firmës ‘Arlis’.

Bledi Shkëmbi, ish-kapiteni i Skënderbeut, njëherësh bashkëshorti i Imeldës, që mbeti e lënduar, konfirmoi për Top Channel se sëbashku me avokatin e tij ka përgatitur dokumentat për të ngritur një padi kundër kompanisë ‘Arlis’, përfaqësuesit e të cilës kanë neglizhuar totalisht ngjarjen pasi deri në orët e mesditës nuk tentuan të kontaktonin asnjërin prej të plagosurve për të mësuar mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Të dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën. 70-vjeçari Hysen Lavdari ndodhet më gjendje stabël por po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm pasi ka dëmtime të rruazave të qafës dhe plagë në kokë. Ndërsa vajza e tij, Imelda Shkëmbi është në gjendje të mirë shëndetësore.

Ndërkohë policia pas veprimeve hetimore arrestoi si fajtor për ngjarjen tre persona. Në pranga përfundoi sipërmarrësi Erjon Kanto, inxhinierin e kompanisë Zef Kalaj si dhe punëtorin Elton Osmanllari.

Ata akuzohen për veprën penale të shkeljes së rregullave në punë.Incidenti I ndodhur nuk është një rast i izoluar.

Gjatë vitit 2023 u evidentuan 102 raste të tilla nga të cilat u identifikuan 115 autorë të shkeljes së rregullave dhe mbrojtjes në punë por vetëm 35 prej tyre  u arrestuan.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA