Zjarri shkatërron thuaje të gjithë koleksionin e artit të Abkazisë me 4,000 punime

22/01/2024 18:00

Një zjarr i papritur ka shkatërruar të gjithë koleksionin vendor të artit në Abkazi, rajoni i ndarë separatist i Gjeorgjisë që kontrollohet nga Rusia.

Zyrtarët thonin se më shumë se 4,000 piktura në Galerinë Kombëtare të Artit në kryeqytetin Sukumi, u zhdukën nga flakët e mistershme.

Zjarri ishte përhapur shumë shpejt në ndërtesën e shekullit të 20-të që kishte strukturë druri dhe strehonte të gjithë koleksionin e artit abkazian.

Hetuesit thonë se po punojnë për të gjetur shkaqet e zjarrit që aktualisht mbeten ende mister.

Mes veprave të shkatërruara ishin 300 punime të artistit të njohur, dizenjatorit Alexander Chachba-Shervashidze.

Drejtori i galerisë së artit Suram Sakanya, tha se koleksioni i kishte mbijetuar luftës civile me Gjeorgjinë në vitet 1990-të ndërsa ngjarja ishte një humbje e pariparueshme për kulturën abkaze.

“Koleksioni ishte mbledhur prej vitit 1963 por u dogj brenda disa minutave, është një tragjedi për ne këtu në Abkazi,” tha ai.

Artistët kishin kërkuar më herët një vendndodhje të sigurtë për koleksionin teksa pamjet para zjarrit tregonin pikturat e ngjeshura në dy dhoma pa mbrojtjen e duhur.

Rajoni pro-rus gjendet në veriperëndim të Gjeorgjisë por shpalli pavarësinë prej saj në vitet 1992-93 por nuk njihet nga vendet perëndimore.

Që prej konfliktit të Gjeorgjisë me Rusinë në 2008, Moska e njeh si një shtet të pavarur, ndërsa Gjeorgjia thotë se Abkazia është e pushtuar nga Rusia.

FOTO GALERI
1/3
Një zjarr i papritur ka shkatërruar të gjithë koleksionin vendor të artit në Abkazi, rajoni i ndarë separatist i Gjeorgjisë që kontrollohet nga Rusia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA