Këshilltari i Albin Kurtit, Arbër Zaimi ka përshëndetur amendamentin e kreut të PD-së Lulzim Basha, i cili kërkon nga buxheti i shtetit 50 mln euro për ndihmë ushtarake ndaj Kosovës.
Zaimi e cilëson si mundësi bashkimi për partitë këtë nismë dhe thotë se nëse do të miratohet, ‘do të jetë veprimi më strategjik që politika shqiptare mund të marrë në vitin 2024’.
“Është e qartë se politika parlamentare në Shqipëri prej kohësh ka polarizim ekstrem. Fatkeqësisht ky polarizim është tejkaluar rrallë, vetëm kur ka patur presion ndërkombëtar, gjë që nuk ka rezultuar gjithmonë pozitive për të gjitha palët vendase.
Por palët do të duhet hera herës të bëhen bashkë – përtej urrejtjes që kanë për njëri-tjetrin e pavarësisht asaj – edhe për interesin kombëtar, gjë që do t’ua rriste hapësirën e veprimit dhe sovranitetin.
Një rast shumë i mirë për t’u bërë bashkë, është propozimi i Lulzim Bashës për t’i ndarë nga buxheti i Shqipërisë 50 milion euro për të financuar mbrojtjen dhe sigurinë e Kosovës.
Natyrisht kjo kërkon mbështetje edhe të mazhorancës, edhe të pjesëve të tjera të opozitës.
Nëse kjo miratohet, do të jetë veprimi më strategjik që politika shqiptare mund të marrë në vitin 2024”-shkruan Arbër Zaimi.
Partia Demokratike dorëzoi në Kuvend amendamentin ku kërkon ndryshimin e buxhetit të shtetit, për t’i dhënë 50 mln euro Kosovës për ndihmë ushtarake.
Top Channel