Një ferr zjarri ka shpërthyer sot në një depo karburantesh në Rusinë perëndimore pas një sulmi të raportuar nga dronët e Ukrainës.
Sulmi ndaj depove ruse të karburanteve është i dyti në tre ditë pasi Kievi mori përgjegjësinë dhe për sulmin e të mërkurës në impjantin e rajonit verior të Leningrad.
Sulmi i sotëm goditi depon në qytezën Klintsy rreth 60 km larg kufirit me Ukrainën, duke detyruar dhjetra rezidentë të largohen nga shtëpitë e tyre, teksa 13 mjete zjarrfikëse po punonin për fikjen e zjarrit dhe kufizimin e dëmeve.
Pamjet në rrjetet sociale tregonin tymin masiv që dilte nga impjanti i Klintsy pas sulmit, për të cilin zyrtarët rusë thanë se ishte kryer me dron ushtarak, shkruan e përditshmja Daily Mail.
Guvernatori i Bryansk, Alexander Bogomaz tha: “Terroristët ukrainas tentuan të sulmonin impjantin e qytetit të Klintsy duke përdorur një mjet ajror pa pilot. Droni ishte bllokuar nga sistemet ruse të mbrojtjes por municion ra prej tij në depon e karburantit të Klintsy gjatë shkatërrimit të mjetit ajror”.
Nuk u raportua për viktima.
Mbrojtja e Kievit ka sulmuar shpesh infrastrukturën energjitike ruse ose atë të transporteve gjatë konfliktit të rëndë dy-vjeçar në kundërpërgjigje të aneksimeve ruse të rajoneve lindore rusofone të Ukrainës.
Top Channel