Pakistani ka thirrur sot ambasadorin e tij nga Irani fqinjë në shenjë proteste ndaj “shkeljeve flagrante të sovranitetit” pas një sulmi ajror të Iranit ndaj disa bazave militante në zonat jugperëndimore të Pakistanit.
Ministri i jashtëm iranian tha se ishin goditur militantë me “dronë e raketa”, teksa sipas mediave shtetërore raketat kishin rënë mbi dy baza të grupit Jaish al-Adl, i etiketuar si “organizatë e huaj terroriste” nga SHBA.
Sulmet vijnë një ditë pas të tjera goditjeve të Teheranit në vende fqinje si Iraku e Siria, me justifikimin e militantëve ose spiunëve të jashtëligjshëm në afërsi të kufijve të tij.
Bagdadi ka thirrur ambasadorin e tij nga Teheran pasi mediat iraniane thanë se objekti i goditur me herët në Irak ishte një ‘qendër izraelite spiunazhi.’
Zyrtarët në Pakistan thanë se dy të mitur kishin humbur jetën dhe të tjerë ishin plagosur nga sulmet pranë kufirit mes vendeve.
Sulmi i paprovokuar është i papranueshëm, tha ministria e jashtme pakistaneze duke shtuar se “rezervojmë të drejtën për kundërpërgjigje ndaj këtij akti ilegal”.
Pakistani nuk ka lejuar që ambasadori i Iranit të kthehet në vend dhe disa angazhime janë anuluar mes dy fqinjëve.
Zyrtarët në provincën jugperëndimore të Pakistanit, Balochistan, thanë se “katër raketa kishin rënë në zonën Panjgur, 50 km në brendësi të tokës së Pakistanit”.
Top Channel