Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha

NGA ANILA HOXHA

Shqipëria ka shkallën më të lartë të femicidit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky konstatim pohohet nga Rishikimi i Popullsisë Botërore, ku specifikohet se në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kryesoi për 2023 me vrasjen e gruas. Më pas Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi rankohen duke u bazuar në të dhënat përkatëse të secilit vend të gjeneruara nga sistemi gjyqësor, qëndrimi i policisë dhe deklaratat e autorëve që folën mbi rrethanat.

Femicidi, thënë ndryshe, është vrasja e një gruaje për shkak të gjinisë, seksit, roleve gjinore dhe ka si tipar dallues dhunën ndaj gruas/ vajzës që përbuzet dhe dhunohet për ta zotëruar, kontrolluar apo dominuar. Por, ndonëse i pranuar se ndodh në vendin tonë femicidi nuk është i përfshirë ende në Kodin Penal dhe as si vepër penale e veçantë. Megjithë ndryshimet e vazhdueshme të Kodit Penal që ka sjellë ashpërsim të dënimeve ndaj agresorit, vrasësit që akuzohen për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare (neni 79/c), vrasje me dashje, vrasje me paramendim, ku janë përfshirë marrëdhëniet familjare, marrëdhëniet si ish-partnerë, ligjvënësi nuk është vënë në lëvizje për ta pranuar ligjërisht se gruaja në Shqipëri ende vritet se është grua. Se është vajzë. Se për shkak të rolit të saj gjinor si nënë, sikurse edhe ka pasur raste pasi e serviri kafenë me vonesë, mbasi nuk e pastroi oborrin pa lindur dielli ajo vritet.

Se vajza shtatzënë, duke thyer norma të pranuara e të diktuara, vritet nga babai e vëllai së bashku, pasi u përpoq për muaj me radhë të fshihte barkun dhe fëmijën që rritej brenda saj. Se Maria në Shkodër qëllohet me çifte nga babai sepse nuk iu bind fjalës së tij për të ruajtur bagëtinë. Se Liljana vendosi të divorcohej, dhe kjo ishte e papranueshme nga bashkëshorti e andaj ajo s’duhet të jetonte më e bash duhej qëlluar aty në derë të gjykatës së Elbasanit. Me emra të përveçëm grash, vajzash, portretet e tyre janë aq të ndryshme e të njëjta.

Ajo mund të jetë një grua me fytyrë të mavijosur nga dhuna e që më pas guxoi e denoncoi, por më pas u vra pasi për burrin e saj ishte e papranueshme të bëjë burg nga gruaja. Ajo mund të jetë me fytyrë të kuruar, asnjëherë me shenja në fytyrë e në krah, një grua intelektuale dhe e pavarur në dukje, por që sapo heq shallin para gjyqtares mbas kokës ka një të carë që e ka fshehur e bashkë me të ka fshehur edhe jetën e dyfishtë të bashkëshortit. Ose një vajzë, se vajzat nuk jetojnë të gjitha në Tiranë e cila u kap nga i vëllai duke folur në telefon dhe u rrah me grushte prej tij sepse nuk tregoi me kë po fliste fshehtas. Po pra, ky është portreti i gruas.

Në përpjekje për të jetuar jetën e tyre, për të thënë ndal apo edhe duke vrapuar që të ngrenë peshën e radhës për hatër të fëmijëve, për hatër të traditës, të familjes, të burrit në mos edhe të syve të botës. Por të dhënat janë fatale. Në vitin 2023 u vranë për këtë arsye 10 gra dhe vajza. Shqipëria mori vendin e parë për femicid në vitin 2023. Duhet të hidheshim përpjetë nga alarmi e të ndryshonim diçka sa më parë.

Prej 2010, në Shqipëri ju mor jeta 159 grave/vajzave sepse sikurse u shprehën më pas në gjykata burrat vrasës, “jam unë burri i shtëpisë”. Nën sytë e gjyqtarëve ata kanë një portet, janë të dhunshëm, janë gjaknxehtë, janë xhelozë kishin pirë një gotë , janë të dehur, ishin të rënduar psikologjikisht ose vuajnë nga probleme të shëndetit mendor.

Krimi ndaj gruas, pra FEMICIDI, nuk u ndal ndonëse syresh të gjithë ata u penduan, u braktisën nga fëmijët, u injoruan në gjykatë nga anëtarët e familjes jo vetëm për shkak të zisë, por duke e ndëshkuar me braktisje autorin nën sytë e të tjerëve. Një ligj i ashpër që parashikon jo më pak se 20 vjet burg deri në burg të përjetshëm, një gjykatë speciale sikurse ishte ajo e Krimeve të rënda që mori si kompetencë edhe krimet në familje, nuk e ndikuan që vrasja ndaj gruas të minimizohet.

Gjatë podcastit ‘Fol me Anila Hoxhën” transmetuar në “Top Albania Radio”, zbuluam të dhëna të cilat tregojnë se si nuk mjaftojnë mesazhet ndërgjegjësuese “Mos hesht”. Mijëra gra e vajza detyrohen nën justifikimin e traditës të heqin dorë nga trashëgimia, dhe bashkëpronësia. Dhe kjo ndodh në Shqipëri në vitin 2024. Ato paraqiten ashtu rastësisht dhe vullnetplotë në dukje para noterëve, duke firmosur dokumente që i zhveshin nga pronësia sepse toka i takon babës apo burrit.

33 mijë gra nga hyrja në fuqi e ligjit u vendosën nën urdhër mbrojtjeje, por kjo realisht nuk mjafton përderisa urdhërat nuk janë përjetësisht dhe ai urdhër nuk është tjetër veçse një mbrojtje e përkohshme. Dhe e padobishme kur gruaja dhe fëmijët nuk kanë mbështetje të mjaftueshme financiare, nuk kanë një biletë ekonomike pa kthim për të dalë nga cikli i dhunës.

Ndaj pikërisht për shkak të femicidit ka lindur një fenomen i ri, gratë nën dhunë, po marrin fëmijët dhe po largohen prej këtej duke kërkuar azil jashtë vendit. Me deklaratën: Rrezikoj në atdheun tim sepse jam GRUA. Por as kjo nuk mjafton, që femicidi të përfshihet si koncept në ligj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA