Një shtëpi u shkrumbua nga flakët mëngjesin e sotëm në fshatin Kodhel të Lezhës.
Zjarrfikset që shkuan në vendin e ngjarjes kanë arritur të shuajnë plotësisht flakët, por fatkeqësisht çdo gjë është shkrumbuar brenda banesës.
Për Top Channel, kryefamiljari Landi Marku thotë se ka qenë në punë në momentin që ka rënë zjarri dhe është njoftuar për ngjarjen nga familjarët. Ai tregon se tashmë kanë mbetur vetëm muret e shtëpisë dhe kërkon ndihmë për një strehë me qëllim që familja të kalojë ditët e ftohta të dimrit.
Vlen të theksohet se, në momentin që ka rënë zjarri në banesë ndodheshin vetëm 4 nga 5 anëtarët e familjes. Gjithçka që ishte brenda është djegur, ndërsa dyshohet se shkak ka qenë një shkëndijë elektrike. Zjarri është parë nga djali i madh që ka zgjuar nënën dhe dy motrat, dhe më pas kanë dalë menjëherë nga shtëpia.
Top Channel