Dy shqiptarë të akuzuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve janë ekstraduar në Shqipëri nga vendet fqinje Italia dhe Greqia.
Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Romën, është ekstraduar nga Italia, shtetasi Gj. L., 32 vjeç. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet si anëtar i një grupi të strukturuar kriminal.
32-vjeçari dyshohet se i ka shitur një sasi lënde narkotike kokainë dy shtetasve të tjerë shqiptarë, të cilët më pas e kanë trafikuar dhe shitur lëndën narkotike, në Itali.
GjKKO ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”.
Shtetasi Gj. L., në bashkëpunim me shtetasin A. L., dyshohet se kanë transportuar dhe më pas i ka shitur një sasi lënde narkotik kokainë, për 200 000 euro, shtetasve R. Z. dhe Gj. Z., të cilët më pas e kanë trafikuar dhe shitur këtë sasi lënde narkotike, në zonën e Bergamos, Itali, në periudhën mars-nëntor të vitit 2016.
Nga ana tjetër, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve është ekstraduar nga Greqia një 48-vjeçar me inicialet A.C., i akuzuar si organizator i trafikimit të një sasie lëndë narkotike kanabis, në Greqi. Sasia e lëndës narkotike është transportuar në Greqi, kundrejt pagesës në euro nga 4 shtetas, të cilët janë arrestuar nga Policia.
48-vjeçari ka qenë në kërkim ndërkombëtar pasi, në vitin 2019, Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Dy shtetasit e ekstraduar në Shqipëri iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për veprime të mëtejshme procedurale.
Top Channel