SHBA i “çon” mesazh Iranit/ Nuk i lë kohë për hakmarrje, sulm gjatë natës ndaj rebelëve!

13/01/2024 12:50

Zotimeve të rebelëve Huthi për hakmarrje, Shtetet e Bashkuara iu përgjigjën me sulme të reja ndaj objekteve të tyre në Jemen.

Në atë që u përshkrua si “vazhdim i aksionit”, një luftanije amerikane lëshoi breshëri raketash ndaj një zonë radarësh. Sulmet e kësaj jave, pohuan zyrtarë amerikanë, kanë për qëllim të reduktojnë aftësinë e Huthive për të goditur anijet në Detin e Kuq.

 “I dërgova një mesazh Iranit, përgjigja jonë ndaj rebelëve Huthi do të vazhdojë”, citohet të ketë thënë presidenti Joe Biden. Për Teheranin, sulmet amerikane përbëjnë një aksion arbitrar dhe shkelje të të drejtës ndërkombëtare. Marina amerikane paralajmëroi më herët anijet me flamur amerikan, që në 72 orët e ardhshme, të largohen nga zonat përreth Jemenit në Detin e Kuq, si dhe në Gjirin e Adenit, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania, nisën sulme të shumta ajrore në shënjestër të të cilave ishin rebelët Houthi.

Sulmet e udhëhequra nga SHBA-ja, që nisën si përgjigje ndaj një fushate goditjesh me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, vranë të paktën pesë persona dhe plagosën gjashtë të tjerë, sipas grupit rebel. Në muajin nëntor, kur nisën dhe sulmet e Huthive ndaj anijeve civile, Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se po shqyrtonte mundësinë për ripërcaktimin e grupit të rebelëve Houthi si organizatë terroriste. Administrata Biden e kishte hequr zyrtarisht këtë grup nga lista e “organizatave terroriste të huaja” apo “terroristë të përcaktuar globalisht” në vitin 2021, duke zhbërë kështu një masë të Presidentit Donald Trump.

Top Channel