Partia Popullore Evropiane (PPE) ka kundërshtuar kërkesat që në Parlamentin Evropian, si temë urgjente, të debatohet për zgjedhjet që Serbia mbajti në dhjetorin e vitit të kaluar dhe për vërejtjet për procesin e votimit që janë bërë jo vetëm nga opozita, por edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë zgjedhjeve.

Në Serbi më 17 dhjetor 2023 u mbajtën zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore, të cilat i fitoi Partia Progresive Serbe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç.

Kundërshtimi për zhvillimin e debatit është konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga disa burime në Parlamentin Evropian.

Partia e Vuçiçit është anëtare e asociuar e PPE-së. Ky grup parlamentar ka numrin më të madh të deputetëve në PE.

Sipas burimeve, PPE-ja ka kundërshtuar zhvillimin e debatit për zgjedhjet në Serbi, duke argumentuar se para se të mbahet ky debat duhet të pritet raporti përfundimtar i misionit vëzhgues të zgjedhjeve të Organizatë për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ODHIR. Publikimi i këtij raporti është thënë se do të bëhet në fund të shkurtit.

Se PPE-ja do të kundërshtonte vendosjen në agjendën plenare debatin për zgjedhjet në Serbi e ka konfirmuar edhe eurodeputeti, Klemen Groshel, i cili ka qenë udhëheqës i misionit vëzhgues të PE-së për zgjedhjet e 17 dhjetorit.

“Nuk do të ketë debat për shkak të kundërshtimit të PPE-së”, tha ai. Sipas Groshelit, “natyrisht nuk ka nevojë të pritet raporti i ODHIR-it, pasi PE-ja ka pasur misionin e vet vëzhgues në terren, sipas REL.

“Ky është vetëm një akt evitimi i PPE-së. Po ashtu, për fat të keq është sinjal se në cilin drejtim po evoluon politikisht PPE-ja dhe në cilën anë të vlerave dhe parimeve bazon politikën e saj ndaj të ardhmes së Ballkanit Perëndimor”, tha deputeti slloven nga radhët e grupit liberal në Parlamentin Evropian.

Edhe Tonino Piculla, eurodeputet kroat i grupit socialist dhe demokrat ka konfirmuar të njëjtin informacion. Por, sipas tij, në fillim të seancës plenare, kur do të paraqitet rendi i ditës, ai do të kërkojë që me procedurë urgjente të futet në agjendë debati për zgjedhjet në Serbi.

Por, Vladimir Bilçik, deputet nga radhët e PPE-së i cili është edhe raportues për Serbinë në Parlamentit Evropian i ka thënë Radio Evropa e Lirë se “asnjë parti e vetme nuk mund ta parandalojë debatin në Parlament”.

“Asnjë grupim në Parlamentin Evropian nuk ka mundësinë që vet të bllokojë asgjë. Parlamenti Evropian merr vendime kolektive, me shumicë të grupeve politike”, tha ai.

“Ne duhet të diskutojmë për atë që ka ndodhur në zgjedhjet në Serbi. Në të njëjtë kohë, ky diskutim duhet të jetë në bazë të fakteve dhe të merren në konsideratë raporti final i ODHIR-it, i cili do të vijë në javët në vijim”, shtoi ai.

Nga institucionet e tjera të BE-së vazhdojnë të përsërisin qëndrimin e mëhershëm për zgjedhjet në Serbi se “të gjitha shqetësimet për parregullsi në zgjedhje duhet të hetohen në mënyrë të duhur”, dhe se “të gjithë duhet të përmbahen nga veprimet e dhunshme ndërsa mospajtimet duhet t’i zgjidhin përmes rrugës ligjore”.

Një mision ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, tha pas votimeve se SNS-ja kishte përfituar avantazh të padrejtë përmes mediave të njëanshme, përmes ndikimit të Vuçiqit dhe po ashtu kishin vërejtur parregullsi në votime sikurse blerja e votave.

Autoritetet serbe kanë mohuar të gjitha këto akuza.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA