Perëndimit duket iu sos durimi me sulmet e rebelëve Huthi ndaj anijeve tregtare amerikane dhe ndërkombëtare në Detin e Kuq.
Komanda Qendrore e SHBA-së njoftoi se forcat e saj ajrore dhe ato britanike kanë kryer sulme ajrore dhe detare ndaj objektivave ushtarake të grupit rebel nga Jemeni, i cili mbështetet prej Iranit. Sulmet e përbashkëta të SHBA-së kanë pasur edhe përkrahjen e Australisë, Kanadasë, Holandës dhe Bahreinit.
“Ky aksion shumëkombësh synoi sistemet e radarëve, sistemet e mbrojtjes ajrore dhe vendet e magazinimit e lëshimit për të sulmuar sistemet ajrore pa pilot, raketat e lundrimit dhe raketat balistike”, theksohet në deklaratën e Komandës në fjalë. Në shenjëstren e bombardimeve amerikane dhe britanike kanë qenë objektivat në Jemenin e kontrolluar nga rebelët. Sipas presidentit amerikane Joe Biden, qëllimi ishte të tregohej se SHBA-ja dhe aleatët e saj “nuk do t`i tolerojnë” goditjet e pandërprera të grupit militant në Detin e Kuq.
Ky veprim, sipas tij, u bë vetëm pas përpjekjeve për negociata diplomatike dhe diskutime të kujdesshme. Edhe kryeministri britanik Rishi Sunak i përshkroi sulmet si të nevojshme dhe proporcionale”.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, më shumë se 2.000 anije ishin detyruar të bënin devijime prej mijëra kilometrash për të shmangur Detin e Kuq për shkak të akteve të rebelëve Huthi që prekën më shumë se 50 vende. Po kështu sipas saj, ekuipazhet nga më shumë se 20 vende ose u morën peng ose u kërcënuan nga grabitësit.
Top Channel