Qytetari vdiq pasi pyeti datën e seancës/ Reagon Gjykata: Miratuam kërkesën e të pandehurit për t’u mbrojtur pa avokat, për t’i dhënë mundësi…

12/01/2024 14:55
Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë

Gjykata e Tiranës ka reaguar për çështjen në gjykim të qytetarit që humbi jetën sot në ambientet e institucionit të drejtësisë:

Shtetasi me iniciale I.D., sipas gjykatës, u paraqit vetëm, pas avokatin në seancën e fundit të zhvilluar. I pandehuri kërkoi shtyrje të seancës për të pasur prezent avokatin dhe seanca e radhës ishte planifikuar për t’u mbajtur në 1 shkurt.

“Çështja me nr.35 akti, me të pandehur shtetasin I.D., është regjistruar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në datën 28.10.2021 dhe shortuar pranë gjyqtarit Lazër Sallaku, i cili e ka vazhduar gjykimin e çështjes derisa KPK mori vendim për pezullimin e tij nga detyra. Pas rishortimit çështja kaloi tek gjyqtar Albert Meça, pranë të cilit vazhdon procesi gjyqësor. Ju sqaroj se seanca e fundit është zhvilluar në praninë e Gjyqtarit, të Prokurorit dhe vetë të të pandehurit, i cili nuk ka qenë i shoqëruar me avokatin e tij. I pandehuri, në seancën e zhvilluar ka kërkuar para gjykatës shtyrjen e seancës për të pasur prezent avokatin e zgjedhur prej tij, pasi avokati e ka pasur të pamundur të paraqitet. Gjykata, ka miratuar kërkesën e bërë nga i pandehuri, pikërisht për t’i dhënë mundësinë të pandehurit të mbrohet me avokatin e kërkuar prej tij dhe ka shtyrë seancën në datën 01.02.2024”.

Qytetari I.D. shte paditur që në vitin 2020 nga ish-bashkëjetuesja e tij për përndjekje. I ndjeri dhe ish-partnerja kanë pasur një marrëdhënie romantike. Por denoncuesja, pas dhunës nga partneri, kërkoi në shtator të vitit 2019 urdhër mbrojtjeje.

Ndërsa në korrik 2020, sipas dosjes së siguruar nga Top Channel, gruaja ka denoncuar 68-vjeçarin.

“Më përndjek dhe më ka shkaktuar gjendje ankthi dhe frike. Më ka çuar deri në atë gjendje sa kam tentuar të vetëvritem, duke përdorur doza ilaçesh Para tri vitesh kam nisur një lidhje, kemi bashkëjetuar, më ka ushtruar dhunë fizike. Kam kërkuar mbrojtje, por ka vazhduar të më përndjekë, më ka ofenduar se vuaj nga epilepsia”, është dëshmia e saj.

Prokuroria regjistroi kallëzimin penal për qytetarin në 4 shtator 2020. Ndërsa, në vitin 2021, qytetari u dorëzua i pandehur nga Prokuroria, për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, të ngelur në tentativë. Por, që nga viti 2021, nuk ishte zhvilluar ende seanca paraprake, ku shqyrtohen provat nëse hetimi është i plotë, për ta kaluar më tej çështjen në gjykim themeli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA