Qytetari që humbi jetën sot në Gjykatën e Tiranës, ishte paditur që në vitin 2020 nga ish-bashkëjetuesja e tij për përndjekje.
I ndjeri dhe ish-partnerja kanë pasur një marrëdhënie romantike. Por denoncuesja, pas dhunës nga partneri, kërkoi në shtator të vitit 2019 urdhër mbrojtjeje.
Ndërsa në korrik 2020, sipas dosjes së siguruar nga Top Channel, gruaja ka denoncuar 68-vjeçarin.
“Më përndjek dhe më ka shkaktuar gjendje ankthi dhe frike. Më ka çuar deri në atë gjendje sa kam tentuar të vetëvritem, duke përdorur doza ilaçesh Para tri vitesh kam nisur një lidhje, kemi bashkëjetuar, më ka ushtruar dhunë fizike. Kam kërkuar mbrojtje, por ka vazhduar të më përndjekë, më ka ofenduar se vuaj nga epilepsia”, është dëshmia e saj.
Prokuroria regjistroi kallëzimin penal për qytetarin në 4 shtator 2020. Ndërsa, në vitin 2021, qytetari u dorëzua i pandehur nga Prokuroria, për akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, të ngelur në tentativë. Por, që nga viti 2021, nuk ishte zhvilluar ende seanca paraprake, ku shqyrtohen provat nëse hetimi është i plotë, për ta kaluar më tej çështjen në gjykim themeli.
Top Channel