“Pozicioni ynë, i pandryshuar”/ SHBA thirrje Kosovës e Serbisë të përmbushin përgjegjësitë në kuadër të dialogut

11/01/2024 18:34

Ndihmës sekretari i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James O’Brien u ka bërë sot thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në një konferencë online , O’Brien duke paraqitur prioritetet për vitin 2024, përfshirë synimet e Departamentit me BE-në në Ballkan, deklaroi se qëndrimi amerikan mbetet i pandryshueshëm sa i përket dialogut.

“Tani janë tri vende që kanë nevojë për një vëmendje të veçantë, e para është Kosova dhe Serbia. Pozicioni ynë këtu është i pandryshuar. Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e dialogut që udhëhiqen nga Miroslav Lajcak nga Bashkimi Evropian. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbushin përgjegjësitë e tyre në kuadër të dialogut. Ka pasur disa përparime në këtë drejtim gjatë muajve të fundit. Ka pasur hapa përpara dhe në lidhje me trajtimin e disa çështjeve shumë praktike të përditshme si targat dhe mënyra e lëshimit të dokumenteve doganore që mundëson lëvizjen e mallrave ndërmjet dy vendeve. Por, gjithashtu është shumë e rëndësishme që të dyja vendet të shmangin çdo veprim provokues në veri”, ka thënë O’Brien.

Ai ka folur se në muajt e fundit prania e NATO-s në Kosovë është përforcuar, pas sulmit terrorist dhe agresionit të shtetit serb në Banjska të Zveçanit.

O’Brien tha se Policia e Kosovës me mbështetjen e Misionit Evropian për zbatimin e ligjit EULEX udhëheq në zbatimin e ligjit në veri, teksa bashkëpunimi me trupat e NATO-s ka qenë shumë i mirë kohët e fundit.

“Pres akoma më shumë transparencë dhe më shumë diskutime gjatë muajve të ardhshëm dhe kjo është shumë e rëndësishme, veçanërisht pas ngjarjeve të fundit të shtatorit”, u shpreh ai.

Ndihmës sekretari i Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James O’Brien. në këtë konferencë foli edhe në kontekstin e agresionit të vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës, prioritetet si Samiti i NATO-s 2024 në Uashington, dhe përpjekjet për të bashkëpunuar me aleatët e SHBA-së në Evropë për teknologjitë në zhvillim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA