Nga ndryshimet në Kodin Penal tek projektligji për pagat e gjyqtarëve kushtetuese/ Parlamenti rikthehet më 15 Janar, çfarë pritet të ndodhë

11/01/2024 16:05
Foto ilustruese

Parlamenti do të rikthehet në seancave plenare me 15 Janar me të gjitha gjasat për të vijuar mes kaosit të flakadanëve siç e mbylli seancën e fundit në 2023.

Paralajmërimi i parë erdhi nga dalja në pah edhe njëherë tjetër të përçarjes së opozitës në mbledhjen e parë të Konferencës së kryetarëve për këtë vit.

Gazment Bardhi i cili udhëheq fraksionin  e deputetëve mbështes të Berishës tashmë në arrest shtëpie nuk mori pjesë.

Ky grupin e ka bërë të qartë se nuk do ta lejojë parlamentin të vijojë normalisht.

Flutura Açka e mandatuar nga Lulzim Basha për të kryesuar grupin parlamentar të PD  tha se nuk kishte marrë ftesë për të marrë pjesë në konferencën e kryetarëve.

Kuvendi e hodhi poshtë këtë pretendim duke i dërguar mediave e-mailin e dërgimit të njoftimit.

Pjesëmarrjen në këtë mbledhje Jorida Tabaku e lidhi më rëndësinë që ka për parlamentin integrimin europian duke i kërkuar kryetares Lindita Nikolla që të thërrasë krerët e grupeve parlamentare Bledi Çuçi dhe Gazment Bardhi  për të tejkaluar krizën.

Pa prezencën e anëtarëve të opozitës  në Konferencën e Kryetarëve socialistët të vetëm

miratuan kalendarin e projektligjeve për shqyrtim dhe votim, planin e masave për integrimin, kalendarin vjetor të raportimeve që bëhet çdo vit në janar.

Në kalendarin e punimeve gjatë muajit janar  janë parashikuar diskutimi në komisionet parlamentare të ndryshimeve në Kodin Penal.

Një tjetër projektligj është ai për ndryshimin e  pagave të  gjyqtarëve kushtetues që kërkon 84 vota.

Qeveria synon që në seancën e 1 Shkurtit të kalojë për diskutim dhe miratim në parlament ndryshimet në ligjin e lojërave të fatit.

Ndërsa amnistia nga e cila do të mund të përfitojnë 600 të burgosur është vendosur në kalendar por pa një datë të përcaktuar pasi kërkon 84 vota të cilat PS nuk i ka.

Pritet me interes se si Edi Rama do ti bëjë 84 vota për të cilat të Mërkurën nga Shëngjini u shpreh se do t’i gjejë.

Top Channel