Ligji i ri për turizmin/ Mete: Metodologji për taksimin e operatorëve! Nuk preket qiradhënësi individual

11/01/2024 12:45

Ministri i Financave Ervin Mete pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, prezantoi ligjin e ri për turizmin, që ka të bëjë më strukturat akomoduese, lidhur edhe me përgjegjësitë e qiradhënësve në këtë sektor.

Turizmi tashmë ka një zgjerim të jashtëzakonshëm dhe siç kërkon një vëmendje të dedikuar nga ana e rregullimit, qoftë të standardizimit, qoftë të kategorizimit të strukturave, ashtu kërkon edhe një vëmendje të dedikuar nga ana e qasjes fiskale, në mënyrë që ky sektor të japë kontributin e vet në ekonomi, por edhe në buxhetin e shtetit. Kjo, duke pasur një taksim sa më të drejtë dhe një kontribut sa më të drejtë nga ky sektor, në raport me përgjegjësitë që lindin nga rregulli dhe rregullimet fiskale.

Në ligjin që propozohet sot është parashikuar një dispozitë, ku në vijim të saj, Këshilli i Ministrave do të ketë një qasje ndërvepruese me sektorin, në mënyrë që të hartohet një metodologji që shërben si metodologji referuese për kapacitetet e shfrytëzimit të strukturave akomoduese, sipas sezoneve të caktuara.

Në ditët në vijim, Ministria e Financave do të publikojë edhe disa sqarime, lidhur me përgjegjësitë e qiradhënësve në këtë sektor, apo individëve të cilët përdorin platforma, në mënyrë që të jenë sa më të qartë dhe transparentë në përgjegjësitë e tyre tatimore dhe të kemi dhe një qasje sa më bashkëpunuese me tatimpaguesit në mënyrë që t’u përgjigjen këtyre përgjegjësive fiskale, për një tatim sa më të drejtë dhe një kontribut sa më të drejtë të tyre në ekonomi dhe në buxhetin e shtetit”, tha Mete.

Çfarë do të ndryshojë për qiradhënësit, ka të bëjë me platformat “Booking” dhe “Airbnb”?

“Jo! Nuk ndryshon gjë për qiradhënësit individualë. Por ne do të japim një sqarim, në mënyrë që të jenë sa më të qartë për përgjegjësitë e tyre ligjore dhe të hyjnë në një qasje sa më bashkëpunuese edhe nga shërbimi i tatimpaguesit, në mënyrë që të ketë një taksim sa më të drejtë.

Ndërsa, ajo që ndryshon me ligjin e sotëm, është vendosja e një dispozite, sipas të cilës për operatorët turistikë do të përcaktohet metodologji për shfrytëzimin e kapaciteteve, sipas sektorëve, e cila pastaj do të jetë metodologji referuese edhe për taksimin e operatorëve, në mënyrë që të ketë një deklarim sa më të drejtë të shfrytëzimit të kapaciteteve të operatorëve turistikë”, tha Mete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA