Doktorët i thonë trajnerit Sven-Goran Eriksson se ‘po vdes nga kanceri’ por ai refuzon të dorëzohet ndaj frikës së sëmundjes (video)

11/01/2024 15:27

Ish-trajneri i njohur i futbollit Sven-Göran Eriksson është zotuar sot në një intervistë se “do të jetojë e luftojë çdo ditë” edhe pse është diagnostikuar me kancer të prostatës dhe doktorët i kanë thënë se “nuk mund të bëjnë dot asgjë”.

75-vjeçari ish-trajner i Lazio në Itali dhe i kombëtares së Anglisë, ka dy fëmijë, teksa tha në një intervistë emocionale se doktorët i thonë se ka rreth një vit për të jetuar pas diagnozës tronditëse të vitit të shkuar.

Ai kishte shkuar në spital pas një rrëzimi që i shkaktoi ishemi, kur doktorët i thanë se “kishte një kancer që nuk mund të operonin”.

Në një intervistë me BBC Eriksson tha: “Unë mendoja se isha i shëndetshëm, por papritur pësova ishemi, u rrëzova. Fëmijët më çuan në spital dhe doktorët më thanë se do të rekuperohem nga ishemia por kam një kancer që nuk mund të operojnë.”

“Më tej më thanë ‘do të të japim ilaçe që të jetosh sa më gjatë që mundesh, por nuk mund të operojmë”.

“Kur merr një lajm si ky nis të vlerësosh çdo ditë dhe je i lumtur kur ndjehesh mirë në mëngjes”.

Ka pasur spekulime për shëndetin e Eriksson që kur ai u largua nga puna si drejton sportiv i Karlstad në fillim të vitit të shkuar. Ndërsa sot ai tregoi sesi humbi ndjenjat teksa vraponte dhe zbuloi se ishte i sëmurë rëndë.

“Duhet të luftoj sa mundem. Por mund të manipulosh trurin tënd duke parë gjërat pozitive, nuk duhet të fundosem në frikë e pesimizëm, diçka e mirë mund të dalë prej saj”.


Sven tha se pasi u rrëzua gjatë një vrapimi doktorët i thanë se kishte pësuar ishemi dhe se gjithashtu kishte kancer.

“Ata thanë se nuk e dinin prej sa kohësh e kisha, ndoshta prej një muaji ose një viti. Nuk mund të operonin dhe as të më shpëtonin nga vdekja, por vetëm ta shtynin atë”.

Në karrierën e tij të gjatë sportive Sven ka drejtuar gjithashtu skuadra si IFK Gothenburg, Benfica, Roma, , Fiorentina, Sampdoria, Manchester City e Leicester City.

Por me kombëtaren e Anglisë ai u bë nga trajnerët më të famshëm në botë./DailyMail/

FOTO GALERI
3/5
me ish-partneren Nancy Dell'olio

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA