Bashkim i opozitës? Noka tregon kush është i përjashtuar, “Brava do zgjohet sot se mori urdhër”/ Reagon Kulluri: Ju e përçatë opozitën

11/01/2024 13:39

Deputeti Flamur Noka, tha se është hedhur një tezë për krijimin e një federate, në një përpjekje për të bashkuar opozitën. 

Por të përjashtuar nga kjo tentativë për ribashkim do të jenë Lulzim Basha dhe Enlekejd Alibeaj, siç i quan ai, “Brava” dhe “Alibasha”, ndërsa menjëherë pas kësaj deklarate, Edvin Kulluri, në një postim në Facebook ra reaguar për bashkimin e opozitës, duke thënë se shkak i përcarjes së opozitës janë deputetët që pretendojnë ribashkim.

“Me aleatët ne jemi në bisedime. Është hedhur një tezë për krijimin e një federate. Sigurisht që në kontaktin e parë që kemi pasur është diskutuar dhe është lënë që do të hartohet një platformë për të konceptuar idenë e bashkimit. Jemi në përpjekje të vazhdueshme për të bashkuar opozitën. Kur them për të bashkuar opozitën, e kam thënë dhe e them, PD është e qartë në qëndrimin e saj, opozitë konsiderohet çdo forcë politike, çdo organizatë jofitimprurëse, që mbron demokracinë dhe bën opozitë me regjimin. Në rast se ju mendoni tjetër qasje, kjo nuk është qasja e PD. Është e qartë kur të flasim për çështjen e qeverisë dhe për marionetat e saj apo ushtarët e saj, mund të përfshijmë Bravën. Brava për ne dhe Alibasha nuk është opozitë”, tha Noka.

Deputeti gjithashtu përmendi konferencën e kryeministrit Edi Rama, i cili kur u pyet për Bashën, tha “mos më pyesni në këtë orë për atë njeri”. Noka tha se sot do të zgjohet nga gjumi.

“Po u them vetëm një gjë? E ndoqët intervistën e kryeministrit dje? Zgjohu nga gjumi, i tha. Të jeni të sigurt se sot do zgjohet nga gjumi. Pra, mori një urdhër indirekt nga televizioni dhe sot do zgjohet. Flasim për faktorët opozitarë, jo për faktorët qeveritarë”, tha Noka.

“Ne kemi bërë punë të madhe për bashkimin e PD-së dhe opozitës dhe po vazhdojmë ta bëjmë. Jemi të hapur në këtë pikë dhe çdo individ që është demokrat dhe opozitar, përjashto Bravën dhe Alibashën, do jetë pjesë e punës tonë për t’u bashkuar dhe krijuar frontin apo federatën kundër këtij regjimi kriminal që kemi përballë. Në këtë bashkim, përjashtohen vetëm dy pengjet, njëkohësisht mercenarët e Edi Ramës”, shtoi ai.

Reagimi i Edvin Kulluri, Sekretari për marrëdhëniet me publikun në PD.

“Nisur nga deklarata e sotme e përfaqësuesve të Foltores, demokratët dhe opinioni publik duhet të dijnë se :

1) Këta që sot pretendojnë bashkim të opozitës janë shkaku i përçarjes së saj;

2) Loja me përplasje në Kuvend për të penguar reformën zgjedhore shkon kundër interesit publik për një parlament të qytetarëve dhe jo kryetarëve;

3) Çdo përpjekje e Foltores për të qenë “partizanët” e Ramës është e dështuar, pasi populli opozitar nuk ka nevojë për hallexhinj por për drejtues moral të opozitarizmit.

4) E vetmja rrugë që kanë “opozitarët e rrugicave” për të bashkëpunuar  me Partinë Demokratike është që të mbajnë qëndrim të qartë për personat e shpallur Non-Grata, duke u ndarë përfundimisht nga ta. Kjo kërkon njerëz të lirë dhe me dinjitet”, ka shkuar Kulluri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA