Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se në takimet me zyrtarët izraelitë këtë javë, ai do të kërkojë që të bëhet më shumë në shmangien e viktimave në mesin e civilëve në Rripin e Gazës.
Duke folur në një konferencë shtypi në Doha pas takimit me Emirin e Katarit Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani, Sekretari Blinken tha se civilët palestinezë duhet të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre dhe ndaj tyre nuk duhet ushtruar trysni për t’u larguar nga Rripi i Gazës.
Komentet e Sekretarit Blinken pasuan shqetësimet e ngritura nga udhëheqësit e Egjiptit, Jordanisë dhe disa vendeve të tjera të Lindjes së Mesme për zhvendosje të civiliëve palesitnezë nga Rripi i Gazës ose Bregu Perëndimor.
Në konferencën e përbashkët për shtypin, Emiri i Katarit Sheikh Mohammed Bin Abdulrahman al-Thani tha se vrasja e një udhëheqësi të lartë të Hamasit në një sulm të Izraelit me dron në Bejrut ka ndikuar në aftësinë e Dohas për të ndërmjetësuar në bisedimet mes negociatorëve izraelitë dhe atyre palestinezë. Megjithatë ai tha se Katari do të vazhdojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për konfliktin Hamas-Izrael.
Më herët të dielën ai u takua me mbretin dhe ministrin e jashtëm të Jordanisë dhe vizitoi një depo të Programit Botëror të Ushqimit në Aman, ndërsa vazhdon misionin diplomatik në Lindjen e Mesme për të parandaluar përhapjen e konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, në të gjithë rajonin. Ndërkohë ushtria izraelite njoftoi se ka përfunduar operacionin për të shkatërruar strukturat ushtarake të Hamasit në veri të Gazës, duke vrarë sipas saj rreth 8 mijë militantë në atë zonë dhe duke sekuestruar dhjetëra mijëra armë dhe miliona dokumente.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua të dielën me Mbretin e Jordanisë, Abdullah II dhe ministrin e Jashtëm, Ayman Safadi në një përpjekje diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin mes Izraelit dhe grupit militant Hamas, në Rripin e Gazës. Zoti Blinken po u bën thirrje fqinjëve arabë të Izraelit të luajnë rol në të ardhmen lidhur me drejtimin e Gazës pas luftës.
Zoti Blinken vizitoi gjithashtu një depo të Programit Botëror të Ushqimit ku ngarkohen kamionë me ndihma për Gazën.
Jordania dhe vendet e tjera arabe kanë kërkuar një armëpushim të menjëhershëm që nga shpërthimi i konfliktit në muajin tetor.
“Turqia është e gatshme të përdorë ndikimin e saj në Lindjen e Mesme për të ulur tensionet dhe parandaluar përhapjen e konfliktit të Gazës”, u tha sekretari Blinken gazetarëve të shtunën vonë, pasi zhvilloi bisedime me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, një kritik i fortë i aksioneve ushtarake të Izraelit në Gaza.
Të shtunën sekretari amerikan zhvilloi takime me presidentin Erdogan në Stamboll dhe më pas në Kretë me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis. Ai nisi një mision diplomatik në Lindjen e Mesme këtë javë ndërsa shtohet frika se lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gazë mund të kthehet në një konflikt më të gjerë.
Në një takim të veçantë me zotin Blinken, Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan bëri thirrje për “një armëpushim të menjëhershëm” në Gaza dhe për futjen e pandërprerë të ndihmave humanitare. Sipas burimeve diplomatike turke, zoti Fidan mbështeti gjithashtu fillimin e menjëhershëm të negociatave për një zgjidhje me dy shtete.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar paqe dhe siguri të qëndrueshme për izraelitët dhe palestinezët. Kjo përfshin arritjen e të drejtave politike për palestinezët, veçanërisht krijimin e një shteti palestinez me garanci sigurie për Izraelin.
Në një tjetër zhvillim nga fusha e betejës, ushtria izraelite njoftoi se ka përfunduar operacionin për të shkatërruar strukturat ushtarake të Hamasit në veri të Gazës, duke vrarë sipas tyre rreth 8 mijë militantë në atë zonë dhe duke sekuestruar dhjetëra mijëra armë dhe miliona dokumente.
Admirali Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë Izraelite, tha në një konferencë se tani forcat do të përqëndrohen në jug dhe në qendër të Gazës, duke pranuar se ky operacion do të marrë kohë.
Ai tha se përpjekja ushtarake e Izraelit për të zhdukur Hamasin nga Gaza qendrore dhe jugore do të bëhet ndryshe nga ajo që u bë në veri, duke vënë në dukje se “kampet e refugjatëve janë të mbushura plot me terroristë”.
Po ashtu kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha të shtunën se lufta kundër Hamasit “nuk duhet të ndalet” derisa Izraeli të arrijë tre objektiva kryesore: “eliminimi i Hamasit, kthimi i pengjeve dhe garantimi që Gaza nuk do të jetë më një kërcënim për Izraelin”.
Nga ana tjetër Izraeli dhe grupi militant Hezbollah vazhduan shkëmbimin e zjarrit përtej kufirit të Libanit. Sirenat për sulme ajërore u ndezën në të gjithë Izraelin verior, ndërsa grupi militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani tha se lëshoi më shumë se 60 raketa ndaj një bazë ushtarake izraelite.
Izraeli tha se u kundërpërgjigj duke goditur një “celulë terroriste përgjegjëse për lëshimet e raketave”. Gjithashtu njoftoi se goditi disa objektiva të Hezbollahut në Libanin jugor./VOA
Top Channel