Treguesi i ndjesisë ekonomike pësoi një përmirësim gjatë dhjetorit, ndihmuar nga sektori i ndërtimit, shërbimeve dhe më pak nga industria.
Tregtia dhe besimi konsumator mbetën në të njëjtat vlera me një muaj më parë. Indikatori që mat pulsin e bizneseve dhe individëve nga Banka e Shqipërisë sinjalizon se ekonomia do vijojë rritjen në tremujorin e ardhshëm.
Industria ka paraqitur një vlerësim më optimist për kontratat porositëse, ndërsa nuk kanë ndryshuar pritshmëritë për prodhimin, punësimin dhe çmimet.
Ndërtimi pati rritjen më të fortë nga të gjitha grupet duke u ngjitur pranë vlerave më të larta historike. Bizneset në këtë aktivitet shprehen të kënaqur me numrin e porosive, ndërsa në të ardhmen presin që punësimi dhe çmimet të rriten.
Shërbimet gjithashtu pësuan një rritje pranë intervalit më të lartë historik, ndërsa në të ndikoi ecuria aktuale e aktivitetit si dhe niveli i kërkesës. Bizneset në këtë sektor presin të rrisin punësimin dhe çmimet në të ardhmen.
Sa i përket tregtisë, sektori ka mbetur i pandryshuar në pritshmërinë aktuale të aktivitetit dhe punësimin, ndërsa ka një qasje pozitive për të ardhmen.
Edhe konsumatorët kanë vijuar të jenë të pandryshuar në pritjet për situatën e përgjithshme ekonomike, situatën financiare dhe blerjet në shuma të mëdha për të ardhmen.
Ndërsa konsumatorët presin ulje çmimesh, bizneset sinjalizojnë të gjitha për rritje duke e bërë dhe më sfiduese uljen e inflacionit.
Top Channel