Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka akuzuar palën serbe për neglizhencë në kontrollin kufitar, duke theksuar se puna me dy sportele në një kohë fluksi lëvizjesh është shkaku i radhëve të gjata të qytetarëve kosovarë në pikën kufitare të Merdarës.
Përmes një njoftimi, autoritetet kosovare shprehen se pritjet e qytetarëve në dalje të pikës kuftare të Merdarës për në Serbi shkojnë prej 7 orësh, me një autokolonë 4 kilometra të gjatë.
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar thotë se pala serbe është duke punuar vetëm me dy zyrtarë policorë, njëri po merret me një korsi të autobusëve, ndërsa tjetri me katër korsi të veturave.
“Nga këto të dhëna besojmë se e kuptoni se si është gjendja dhe ku qëndron pengesa. Ju njoftojmë se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë jemi duke bërë çmos që të ndikojnë te pala serbe që të rrisin kapacitetet dhe të mundësojnë qarkullim më të shpejtë. Ju falënderojmë për bashkëpunim! Rrugë të mbarë!”, përfundon njoftimi.
Top Channel