“Bashkim në pranverë”/ Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, komenton situatën e opozitës: Ndoshta përmes një fraksioni…

06/01/2024 15:13

Mosbindja e opozitës në parlament pritet të ketë vazhdimësi edhe gjatë vitit të ri.

Mesi i muajit janar rikthen punimet parlamentare dhe grupi i demokratëve shfaqet i vendosur se do t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë mazhorancës  në rast se nuk plotësohen të drejtat e deputetëve.

 “Opozita më shumë se kushdo tjetër është e interesuar për normalitet, për fuqinë e fjalës dhe debatin parlamentar. Nëse gjendja ka qenë e tensionuar ka ndodhur kështu sepse është shkelur e drejta elementare e deputetit. Shpresojmë që qeveria dhe kryeministri të braktisin komunikimin arrogant, të braktisin sfidat për ta vënë opozitën me shpatulla për muri dhe në datë 15 janar shqiptarët të shohin një parlament normal. Opozitës nëse nuk i rikthehet e drejta kushtetuese, është e shtrënguar, e detyruar, nuk ka rrugë tjetër veçse të vazhdoj”, thotë nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj.

Mungesa e Sali Berishës në Parlament  për shkak të arrestit në shtëpi, nuk do e pengojë PD nga plani i saj për të vazhduar betejën kuvendore.

 “Opozita është më shumë se një njeri, e gjithë kurba, elektorati i saj, mbështetësit që duan ndryshim. Qëndresa parlamentare ka nisur para se të fillojë çështja juridike e Sali Berishës. Unë jam i bindur që opozita do i përgjigjet aktualitetit me normalitetin e vetë politik  duke bërë betejën për shumë kauza që e shqetësojnë sot Shqipërinë. Sigurisht që çështja e Sali Berishës është një çështje që nuk i shpëton dot gjuhës politike, sado të ftohtë e të paanshëm të shfaqemi secili prej nesh, është e pamundur të ndodh; por nuk do të jetë kjo çështja kryesore e debatit politik sepse Sali Berisha ka deklaruar se po e bën vetë betejën me drejtësinë”, shprehet Gjekmarkaj.

Jo vetëm si nënkryetar i Parlamentit, por në rolin e deputetit demokrat, Agron Gjekmarkaj është i mendimit se 2024 do të jetë vit jetik për PD dhe brenda një periudhe të shkurtër kjo forcë politike nuk do të jetë më e përçarë.

“Opsionet se si ne do të afrohemi me njëri tjetrin, ndoshta nëpërmjet një fraksioni apo përmes një formule tjetër, kjo mbetet për tu parë në ditët në vijim. Por një gjë është e sigurt se grupi parlamentar është bashkuar dhe PD, mendoj unë, në pranverë do jetë e bashkuar dhe e unifikuar në qëndrime”, shton deputeti.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA