3,2 miliardë euro nga turizmi! Kumbaro: Një vit i suksesshëm për Zonat e Mbrojtura me 4,5 milionë vizitorë

06/01/2024 12:59

Ministrja e Turizmit dhe Mjedsit Mirela Kumbaro mbajti sot konferencën për shtyp mbi analizën vjetore të ministrisë dhe për të prezantuar prioritetet e vitit 2024 në fushën e turizmit dhe mjedisit.

Ministrja Kumbaro u shpreh se viti 2023 ishte më i miri për turizmin, si fryt i bashkëpunimit të suksesshëm mes aktorëve të sektorit, kuadrit ligjor, por edhe promovomit të mirë të vendit.

“10, 1 milionë turistë vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2023, nga të gjashtë kontinentet, veç Evropës që mban edhe peshën kryesore të flukseve hyrëse, megjithatë si trende më interesante të vitit që shkoi ishin flukset e turistëve spanjollë, holandezë e italianë. Nga Turqia gjithashtu pati rritje të ndjeshme të hyrjeve prej 200 mijë turistësh ose 110% më shumë krahasuar se viti paraardhës”, tha Kumbaro.

Në fjalën e saj, minsitrja Kumbaro tha se flukset më të mëdha të vizitorëve janë të përqendruar në bregdet, prandaj gjatë këtyre viteve është vendosur një standard të ri në lidhje me aplikimet, menaxhimin dhe pastërtinë.

“Është rritur sipërfaqja e detyrueshme e plazheve publike në çdo bashki në 30%, në disa raste edhe 50%. Aplikimet për menaxhimin e parcelave të plazheve për vitin 2024 janë përmbyllur në vitin 2023. Në total 1917 aplikime që po shqyrtohen dhe brenda marsit lidhen kontratat mes bashkive, Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe subjekteve. Në lidhje me pastrimin, vazhdojmë operacionin “Plazhe të pastra”. Janë tashmë 107 operatorë të turizmit detar të certifikuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit”, tha Kumbaro.

Ministrja përmendi edhe promovimin e 1100 eventeve e 25 mijë shkarkimeve të aplikacionit TEA, duke shprehur dhe ambicien që ky kalendar digjital eventesh të kthehet në një “One Stop Shop” i cili përveç promovimit të sigurojë edhe ndërlidhje mes bizneseve.

Ndërkohë, vazhdon puna për hartimin e Strategjisë së Turizmit 2024−2030 me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim (GIZ), si dhe për projektligjin e ri në Turizëm i cili do të kalojë në qeveri javës që vjen.

Ministrja Kumbaro u shpreh se paraqiten trende pozitive të formalizimit, si pasojë e një fushate të gjerë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, ku biznesi dhe sektori publik përfitojnë, pasi hotelet e kategorizuara paguajnë TVSH të reduktuar në 6%, pavarësisht nëse janë bujtina apo hotele me 5 yje.

Në lidhje me mjedisin, Shqipëria la pas Vitin e Vjosës, gjatë të cilit u shpall park Kombëtar dhe u krye studimi i fizibilitetit.

“Shpallëm Vjosën Park Kombëtar dhe kryem studimin e fizibilitetit, në një proces ndërkombëtar të certifikuar nga IUCN. Dhe ishte pikërisht procesi i shpalljes së Vjosës, një model shumë i vlerësuar globalisht, kumbarë i anëtarësimit të Shqipërisë në nivel shteti, me të drejta të plota në IUCN, në dhjetor. Për të vazhduar me Vjosën, e përmbyllëm vitin 2023 me zhvillimin e konkursit ndërkombëtar për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar, me një qendër në Tepelenë dhe dy antena në Përmet dhe Nartë. Ishin 3 studio ndërkombëtare finaliste, ku u shpall fituese studio CEBRA. Puna për ndërtimin fillon këtë vit”, u shpreh minsitrja Kumbaro. Ndërkohë, në muajin Janar nis puna për regjistrimin e Vjosës në UNESCO.

Kumbaro tha se ky ishte një vit i suksesshëm për Zonat e Mbrojtura me 4,5 milionë vizitorë. Gjithashtu, ministrja Kumbaro theksoi dy projekte shumë të rëndësishme për mjedisin me Bashkimin Europian, EU4Nature për planet e menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe EU4Rivers për menaxhimin e ujërave duke i përafruar me standardet e BE.

“Në vitin 2024, do të kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për ndërtimin e një Sistemi digjital të Integruar Mjedisor pranë AKM”, shtoi ministrja Kumbaro.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA