Avioni i ndaluar në Francë hedh dritë mbi rolin e vendeve latine në krizën e emigrantëve në SHBA

05/01/2024 17:10

Fluturimi kishte 303 qytetarë indianë që shkonin drejt Nikaraguas, një vend i cili ka kritere të buta për vizat dhe po shfrytëzohet nga ata që duan të udhëtojnë më pas drejt SHBA.

Ngjarja ka risjellë në vëmendje rolin e vendit amerikano-qendror si një trampolinë për ata që duan të udhëtojnë drejt SHBA, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Fluturimi ishte ngritur nga Emiratet e Bashkuara Arabe më 21 dhjetor me 303 pasagjerë të qytetarisë së Indisë, por u bllokua në Francë gjatë një ndalese furnizimi pas një informacioni anonim për dyshime trafiku njerëzor.

Pasagjerët nuk po trafikoheshin kundër dëshirës së tyre por po tentonin të emigronin ilegalisht.

Nikaragua është një nga vendet më pranë SHBA që nuk ka kushte të ashpra për vizat për shumë vende të botës.

Ekspertët e Uashingtonit thonë se presidenti i Nikaraguas Daniel Ortega, po kërkon të përdorë emigracionin si armë kundër SHBA, pas sanksioneve të vendosura ndaj tij dhe anëtarëve të ngushtë të rrethit qeveritar.

Në një krizë e ngjashme në vitin 2014, Nikaragua vendosi regjim vizash ndaj qytetarëve të Kubës për të reduktuar fluksin e emigrantëve drejt SHBA. Por prej atëherë marrëdhënia mes dy vendeve është prishur.

Avioni në Francë rrjedhimisht u detyrua të kthehej në Indi, përveç dy pasagjerëve që u mbajtën për t’u marrë në pyetje.

India ka nisur hetimet e saj ndaj çeshtjes dhe thotë se pasagjerët kishin paguar shuma prej nga $48,000 deri $100,000 për të fluturuar, tha një zyrtar indian i policisë për rrjetin AFP. Sipas raportimeve rreth 100,000 qytetarë indianë kanë mbërritur në kufirin jugor të SHBA në vitin 2023, rreth herë më shumë se në 2019.

FOTO GALERI
1/3
Nikaragua është një nga vendet më pranë SHBA që nuk ka kushte të ashpra për vizat për shumë vende të botës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA