Publikohen dokumente të gjykatës mbi hetimet ndaj milionerit Jeffrey Epstein, përmenden mbi 150 emra të njohur

04/01/2024 08:53

Një gjykatë amerikane publikoi një sasi dokumentesh gjyqësore më parë sekrete të mërkurën vonë në lidhje me milionerin Jeffrey Epstein, që vrau veten në 2019 ndërsa priste gjyqin mbi akuzat për trafikim seksual.

Mediat sociale kanë qenë të mbushura me postime që spekulonin se dokumentet do të përfshinin një listë të njerëzve të pasur dhe të fuqishëm që ishin “klientë” ose “bashkë-punëtorë” të milionerit Epstein.

Megjithatë, nuk kishte një listë të tillë. Koleksioni fillestar i rreth 40 dokumenteve të bëra publike përmbante kryesisht materiale që ishin publikuar më parë, ose ishin mbuluar gjerësisht në artikuj gazetash, dokumentarë televizivë, intervista, libra rreth skandalit Epstein, që përfshinin një periudhë prej gati dy dekadash. Megjithatë, të dhënat përfshinin histori të miqësive që Epstein kishte me figura të famshme dhe të fuqishme.

Dokumentet tregojnë dëshminë e një grua, e cila thoshte se Princi Andrew i Britanisë e vuri dorën në gjoksin e saj në shtëpinë e Jeffrey Epstein-it në Manhatan në vitin 2001.

Incidenti, i cili është raportuar më parë dhe Princi Andrew e ka mohuar, ishte ndër detajet e zbuluara në dokumentet e publikuara të mërkuren.

Epstein u shoqërua me titanë të Wall Street-it, anëtarët e familjes mbretërore dhe njerëz të tjerë të famshëm përpara se të deklarohej fajtor për prostitucion nga një e mitur në vitin 2008. Ai vrau veten në vitin 2019 në moshën 66-vjeçare ndërsa priste gjyqin për akuzat federale për trafikim seksual.

Dhjetra gra e kanë akuzuar milionerin Jeffrey Epstein se ai i ka detyruar t’i ofrojnë shërbime seksuale atij dhe mysafirëve të tij në ishullin e tij privat në Karaibe dhe në shtëpitë e tij në Nju Jork, Florida dhe Nju Meksiko.

Emrat e më shumë se 150 personave të përmendur në një padi nga Virginia Giuffre, një nga akuzueset më të njohur të Jeffrey Epsteinit, u mbajtën sekrete për vite me radhë derisa një gjykatëse federale vendosi muajin e kaluar se nuk kishte asnjë justifikim ligjor për t’i mbajtur ato sekrete.

Në një deklaratë të zonjës Giuffre në dokumentet e sapo publikuara thuhet se ajo kishte patur marrëdhënie seksuale me disa politikanë të shquar dhe udhëheqës financiarë, duke përfshirë miliarderin amerikan Tom Pritzker.

Në deklaratën e saj, ajo tha gjithashtu se kishte patur marrëdhënie seksuale me figura të tjera të njohura që i kanë mohuar më parë akuzat e saj, duke përfshirë ish-senatorin amerikan George Mitchell dhe ish-guvernatorin e shtetit të Nju Meksikos, Bill Richardson.

Lista e emrave buron nga një padi për shpifje e zgjidhur prej kohësh, që zonja Giuffre ngriti kundër zonjës Maxwell.

Ghislaine Maxwell, vajza e manjatit britanik të medias Robert Maxwell, po vuan një dënim me 20 vjet burg për rekrutimin e vajzave të mitura për Jeffrey Epsteinin. Ajo ka apeluar dënimin e saj.

Zonja Giuffre e akuzoi zonjën Maxwellin se e kishte rekrutuar atë kur ishte e mitur, që Epstein ta abuzonte seksualisht.

Personaliteti i njohur i jetës publike në Britani, Ghislaine Maxwell në dhjetor të vitit 2021 u shpall fajtore nën akuzat se joshte vajza mitura që abuzoheshin seksualisht nga milioneri Jeffrey Epstein. Juria e shpalli atë fajtore për pesë nga gjashtë akuzat me të cilat përballej, përfshirë trafikim seksual të të miturve. Epstein, një dhunues seksual i dënuar, vdiq në vitin 2019, ndërsa ishte në një burg në Manhattan.

Gjykatësja amerikane Loretta Preska, e cila po mbikëqyr çështjen, vendosi se disa emra do të mbeten sekret, duke përfshirë ato të njerëzve që ishin të mitur në kohën kur Epstein i kishte abuzuar ato./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA