Johnson bën thirrje për politika të ashpra të imigracionit gjatë vizitës në kufirin SHBA-Meksikë

04/01/2024 08:23

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson udhëhoqi një delegacion prej rreth 60 ligjvënësish republikanë në një vizitë të mërkurën në kufirin SHBA-Meksikë, ku bëri thirrje për miratimin e politika të ashpra të imigracionit në këmbim të mbështetjes së kërkesës urgjente të Presidentit Joe Biden për më shumë ndihma për Ukrainën.

Ai shprehu dyshime serioze mbi mundësinë e mbështetjes së një kompromisi dypartiak. Udhëtimi në Eagle Pass të Teksasit, vjen ndërsa Senati është angazhuar në negociata delikate me shpresën për të arritur një marrëveshje. Me arritjen e numrit të kalimeve të paligjshme në Shtetet e Bashkuara në 10,000 në disa ditë muajin e kaluar, qyteti kufitar Eagle Pass ka qenë në qendër të vëmendjes së guvernatorit republikan Greg Abbott, i cili me nsimën e tij gati 10 miliardë dollarëshe ka testuar autoritetin e qeverisë federale mbi çështjen e imigracionit, duke e ngritur atë në një luftë politike.

Një marrëveshje në bisedimet e gjata në Uashington mund të zhbllokojë mbështetjen e senatorëve republikanë për paketën prej 110 miliardë dollarësh të Presidentit Biden për Ukrainën, Izraelin dhe përparësitë e tjera të sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Në takimet mes tyre, senatorët Kyrsten Sinema, James Lankford dhe Chris Murphy po përpiqen të bëjnë përparim përpara se Kongresi të kthehet në Uashington javën e ardhshme.

Por zoti Johnson i tha agjencisë së lajmeve Associated Press gjatë vizitës në kufi se ai po i përmbahej me vendosmëri politikave të një projektligji të miratuar nga republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve në maj pa asnjë votë të vetme demokrate. Projektligji parashikon ndërtimin e më shumë mureve kufitare dhe kufizime të reja për azilkërkuesit. Demokratët e quajtën legjislacionin “mizor” dhe “anti-imigrantëve” dhe Presidenti Biden u zotua se do ta përdorte veton kundër projektligjit republikan.

Në një konferencë shtypi, zoti Johnson sugjeroi gjithashtu se ai mund të përdorte një afat të afërt të miratimit të buxhetit të qeverisë si një kusht për zgjidhjen e kësaj çështjeje.

“Nëse Presidenti Biden dëshiron një projektligj tjetër të përqëndruar në sigurinë kombëtare, ai duhet të fillojë me mbrojtjen e sigurisë kombëtare të Amerikës”, tha ai. Ligjvënësi Johnson shtoi: “Ne duam që së pari të mbyllim kufirin dhe të sigurohemi”.

Presidenti Biden ka shprehur gatishmërinë për të bërë kompromise politike pasi numri historik i emigrantëve që kalojnë kufirin është një sfidë në rritje për fushatën e tij presidenciale për zgjedhjet e nëntorit të këtij viti. Sekretari i Departamentit të Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas dhe personeli i Shtëpisë së Bardhë janë përfshirë në negociatat në Senat.

“Ne duhet të bëjmë diçka”, u tha Presidenti Biden gazetarëve të martën mbrëma. Ai tha se Kongresi duhet të miratojë propozimin e tij të sigurisë kombëtare, sepse ai përfshin fonde edhe për menaxhimin e fluksit të emigrantëve. “Ata duhet të më japin paratë që më duhen për të mbrojtur kufirin”, tha ai.

Zyrtarët e administratës e kanë kritikuar udhëtimin e zotit Johnson, duke e quajtur atë një dredhi politike, që do të bëjë pak për të zgjidhur problemin. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrew Bates, tha se republikanët po komprometonin sigurinë kombëtare duke kërcënuar me mbyllje të qeverisë dhe duke vonuar miratimin e buxhetit për sigurinë e kufirit.

Negociatorët e Senatit janë përqëndruar në vendosjen e protokolleve më të ashpra të azilit për migrantët që mbërrijnë në kufirin SHBA-Meksikë, duke forcuar zbatimin e ligjit në kufi me më shumë personel dhe sisteme të teknologjisë së lartë dhe masa të tjera që do të mund të zbatoheshin në rastet kur numri i kalimeve ditore kalon një prag të caktuar.

Senatori Murphy, kryenegociator i demokratëve, tha të martën se ai shpresonte se “në një moment, republikanët mund të pranojnë ofertën për të cilën ne të gjithë kemi punuar së bashku për një kohë të gjatë”.

Ai ngriti shqetësimin se sa më gjatë të zgjasin bisedimet, aq më gjatë do të lërë të varur mbrojtjen e Ukrainës pa mbështetjen e siguruar nga Shtetet e Bashkuara në luftën e saj me Rusinë.

Pentagoni në fund të dhjetorit njoftoi atë që zyrtarët thonë se mund të jetë paketa përfundimtare e ndihmës ushtarake për Ukrainën nëse Kongresi nuk miraton kërkesën e Presidentit Biden për më shumë fonde. Armët, me vlerë deri në 250 milionë dollarë, përfshijnë municione ajrore, raketa, artileri, municione të llojeve të tjera dhe pajisje mjekësore.

Rusia shtoi sulmet ajrore ndaj Ukrainës gjatë periudhës së Vitit të Ri dhe të premten kreu sulmin e saj ajror më të madh që nga fillimi i luftës pothuajse dyvjeçare në Ukrainë, duke vrarë të paktën 39 persona.

“Pasoja e vendimit të republikanëve për të lidhur fondet e Ukrainës me situatën në kufirin SHBA-Meksikë tashmë kanë krijuar moment krize të vërtetë për ukrainasit”, tha senatori Murphy.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA