Bullgaria refuzon dërgimin e luftanijeve me koalicionin e SHBA në Detin e Kuq

04/01/2024 18:43

Bullgaria ka përjashtuar sot mundësinë e dërgimit të luftanijeve me koalicionin e drejtuar nga SHBA në Detin e Kuq, megjithë pengmarrjen e një mjeti të saj në zonë dhe pas goditjes së disa anijeve nga rebelët Huthi në Jemen, raportonin mediat vendase.

Ministri i mbrojtjes Todor Tagarev tha se Bullgaria nuk do të dislokojë luftanije apo trupa në ujërat e Jemenit, teksa citohej të thoshte nga agjencia shtetërore BTA: “Ne nuk mund të përfshihemi në një operacion të tillë pa një rezolutë parlamentare”.

Më tej duke iu referuar anëtarëve bullgarë të ekuipazhit të një anijeje të marrë peng në zonë, ai shtoi: “Ne jemi duke kërkuar një zgjidhje dhe po diskutojmë opsione të ndryshme”.

Tagarev përmendi kapitenin dhe nën-kapitenin bullgar të anijes transportuese Galaxy Leader, duke thënë se nuk janë liruar ende pas pengmarrjes së 19 nëntorit, edhe pse pjesa tjetër e marinarëve ishin liruar.

Një tjetër anije bullgare, Ruen, raportohet se është marrë peng më 15 dhjetor, “me tetë marinarë në bord, nga të cilët vetëm një është liruar, tha më tej ministri duke shtuar se vijojnë negocjatat e lirimit, shkruan rrjeti turk Anadolu.

Ndërsa në lidhje me një task-forcë detare anti-mina të Bullgarisë, Rumanisë e Turqisë në Detin e Zi, Tagarev tha: “Kemi arritur një marrëveshje parimore dhe javën që vjen do të takohemi në Stamboll për nënshkrimin e nisjes së misionit”.

Ndërkohë rebelët Huthi në Jemen kanë shtuar sulmet e tyre ndaj anijeve në korridorin e rrahur detar të Detit të Kuq, që prej nisjes së konfliktit të rëndë Izrael-Hamas. Grupi ka paralajmëruar se do të godasë anijet që shkojnë drejt Izraelit për të ndaluar agresionin dhe rrethimin në Gaza.

SHBA ka njoftuar së fundmi krijimin e një misioni ndërkombëtar kundër sulmeve rebele ndaj anijeve në Detin e Kuq.

FOTO GALERI
1/3
Ministri i mbrojtjes Todor Tagarev tha se Bullgaria nuk do të dislokojë luftanije apo trupa në ujërat e Jemenit

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA