Sot mbahet gjyqi ndaj ekzekutorit të biznesmenit Ardian Nikulaj, portugezit Ruben Saraiva.
Vetëm pak minuta më parë ai ka mbërritur në Gjykatën e Lezhës, nën praninë e masave të rrepta të sigurisë. Gjyqi do të mbahet në orën 10 me dyer të mbyllura, ku pritet të bëhet rivlerësimi i masës arrest në burg.
Vetëm dy ditë më parë, tetë muaj pas vrasjes në Shëngjin të Ardian Nikulajt, me pranga në duar u ekstradua nga Maroku, drejt Shqipërisë Ruben Ribeiro Saraiva, i dyshuar nga drejtësia shqiptare si ekzekutues i biznesmenit.
Ekstradimi portugezit 28-vjeçar rezident në Londër, nga ku u rekrutua për të kryer vrasjen, u mundësua nga një bashkëpunim intensiv i Interpol Tiranës dhe Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë në policinë e shtetit me autoritetet marokene.
Paraditja e të dielës 31 dhjetor e gjeti Saraivën në tokën shqiptare për t’u vendosur në dispozicion të drejtësisë shqiptare.
Nga provat e mbledhura deri më tani nga prokuroria e Lezhës, rezulton se Ruben Ribeiro Saraiva ishte ekzekutori Ardian Nikulajt. Pamjet e gjakftohtësisë së ekzekutimit të mirë-organizuar u publikuan edhe në shumë media në botë.
Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.
Për këtë vrasje në Angli janë arrestuar dhe ndodhen në proces ekstradimi edhe pjesa tjetër e grupit, një shqiptarë dhe katër anglez, që vëzhgonte viktimën dhe ia kalonte informacionet vrasësit Ruben Ribeiro Saraiva.
Gjykata e ekstradimeve në Londër do ta shqyrtojë kërkesën e ekstradimit të tyre nga Shqipëria në muajin Mars.
Top Channel