I veshur me një kostum sportiv ngjyrë gri dhe i shoqëruar nën masa të rrepta policie, ky është momenti kur ekzekutori i Ardian Nikulajt, Ruben Saraiva mbërriti sot në Rinas, pas ekstradimit nga Maroku.

Specialistët e Interpol Tiranës bënë të mundur ekstradimin e 28 vjeçarit nga Portugalia, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Mbërritja e tij në Shqipëri shihet shumë me vlerë për hetimin pasi do të hedhë dritë mbi mekanizmat që ka përdorur ky grup kriminal me 3 kombësi për vrasjen e biznesmenit. Porositës dyshohet se është Edmond Haxhia, i cili kërkonte vrasjen e Nikulajt për hakmarrje.

Nikulaj u ekzekutua në prill të këtij viti teksa po qëndronte ulur brenda biznesit të tij, kur portugezi me skafandër hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë, duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, anglezët që ishin në rolin e vëzhguesit u larguan nga Rinasi dhe ndërsa ekzekutori Ruben Saraiva në rrugë tokësore shkoi fillimisht në Greqi, me pas në Maltë dhe destinacioni final ishte Maroku ku dhe u arrestua.

Vrasja e Nikulajt pasoi ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA