Rama foli edhe për Ballkanin e Hapur gjatë fjalës së tij në konferencën e fundvitit.
Ai tha se nuk e ka mbyllur ai Ballkanin e Hapur, madje as nuk e ka thënën një gjë të tillë. Kryeministri theksoi se nisma vazhdon dhe se nuk e mbyll dot asnjë palë.
“Për sa i përket Ballkanit të Hapur, sot po e marr vesh se unë e paskam mbyllur Ballkanin e Hapur se nuk më rezulton që unë të kem bërë ndonjë mbyllje, madje unë e kam shpjeguar që Ballkani i Hapur nuk hapet dhe nuk mbyllet me një çelës nga një person apo nga njëra palë. Unë nuk kam thënë asnjëherë që kam mbyllur Ballkanin e Hapur se është dhe si shprehje qesharake.
Unë kam thënë diçka krejt tjetër që është thënë në një kontekst të caktuar dhe shprehimisht kam thënë që e ka kryer misionin e vetë në atë kontekst, por që nisma në vetvete është një nismë që është si nisma të tjera dhe që nuk hapet dhe nuk mbyllet nga unë, kjo nuk ka asnjë diskutim dhe patjetër që nëse për shembull, panairi i verërave në Beograd është një nga produktet e asaj nisme, ai u zhvillua para pak javësh dhe morën pjesë prodhues nga Shqipëria dhe nga gjithë Europa dhe madje disa prodhues shqiptarë morën medalje ari në panair.
Ajo nismë vazhdon, që të jemi shumë të qartë dhe Shqipëria as nuk e ka mbyllur se nuk e mbyll dot një palë, po e përsëris prap dhe as nuk ka thënë ndonjëherë të paktën, jo me gojën time apo me gojën tonë, me gojën tuaj po, mund ta ketë thënë se tani po e marr vesh”, tha Rama.
Top Channel