Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja nën hetim për shpërdorim detyre në dosjen e sterilizimit u paraqit në orën 15:00 sipas urdhërimit të gjykatës që e kërkon të jetë në SPAK çdo të premte.
Por teksa Beqja viziton për çdo javë prokurorinë, edhe kjo e fundit kreu një vizitë të beftë në banesën e ish funksionarit për shkak të një dosjeje tjetër, regjistruar për veprën e korrupsionit dhe qe po heton punonjës të Agjencisë Shtetërore të Programit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës.
SPAK konfirmon se i sekuestroi Beqajt telefonin dhe dokumente shkresore, pasi po kryen hetime për një sërë zyrtarësh dhe subjektesh private në fushën e farmaceutikës. Beqaj foli për mediat për këtë çështje.
“Në kohën kur kam qenë ministër, nuk kam pasur asnjë interes financiar me asnjë sipërmarrje farmaceutike në Shqipëri apo me pronarët e tyre. Unë prej vitesh përballem me këto çështje. U bë një kontroll në banesën time, nuk ishte nevoja të thërrisja avokatin sepse ato çfarë ka një familje normale, sende pune apo jetese gjenden aty. Ata që erdhën e bënë kontrollin më treguan një vendim gjykate në procesin e një hetimi që bëhet ndaj një personi tjetër”, tha Beqaj.
I pyetur më tej nga gazetarët për përmbajtjen e vendimit të gjykatës, Beqaj refuzoi të përgjigjet dhe e mbylli me një urim: “Gëzuar Vitin e Ri. Shëndet në familje”.
Nga ana tjetër, avokati i ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ermal Yzeiri tha për mediat tha se ka informacion se janë sekuestruar kompjutera, materiale dhe celularë nga kontrolli në banesë.
“Ajo që ia vlen të komentoj është dëshira e zotit Beqaj që të zhvillohen këto hetime. Se çfarë lidhje ka dhe nëse këto lidhje përbëjnë elementë të veprës penale, këtë duhet ta faktojë Prokuroria. Di që janë sekuestruar kompjutera dhe celularët. Te të gjithë personat janë sekuestruar të gjitha materialet, si telefonat, kompjuterat. Vendimi i gjykatës flet për përgjime ambientale. Kam dijeni për kontrollin në banesën e zotit Beqaj”, tha avokati për mediat.
Pas një pauze në funksionet publike si ish ministër shëndetësie, Beqaj mori drejtimin e kësaj agjencie, një institucion që tanimë po hetohet nga SPAK.
Top Channel