2023 ka qenë viti i tatëpjetës për euron. Monedha europiane përfundoi duke u këmbyer nga kulmi i saj prej 117.25 pikë kundrejt lekut në 9 janar, në 103.88 lekë për datën e fundit të kursit të këmbimit për këtë vit.

Rënia është gati me 13% vetëm brenda një viti.

Monedha evropiane pati luhatje të shumta në pesë muajt e parë të viti, ndërsa gjatë fundit të majit arriti të këmbehej në rreth 109 me lekun, duke shënuar një rekord të ri historik. Monedha do të shihte vetëm rënie deri në korrik, ku arriti në 100.49 kundrejt lekut, pranë kufirit për të thyer edhe atë që quhej barra psikologjike.

U desh një ndërhyrje e fortë nga Banka e Shqipërisë me rritjen e vlerës së ankandeve të blerjeve për rezervë valutore deri në 300 milionë euro, që monedha europiane t’i kthehej trendit të rritjes, ndërsa në fundin e gushtit, ku historikisht prurjet e turistëve e kanë dobësuar atë, euro u rrit në 108.21 kundrejt lekut.

Dhe ndërsa të gjithë prisnin një monedhë evropiane më të fortë pas mbarimit të sezonit turistik, tatëpjeta vijoi deri në nivelin 101.17 kundrejt lekut në fillim të dhjetorit.

Eksportet, pagat në euro dhe TVSH e mbledhur nga doganat ishin të ardhurat që u goditën më fort nga mbiçmimi i lekut. Nga krahu tjetër qeveria uli ndjeshëm borxhin publik, që në pjesën më të madhe është në euro, ndërsa dhe importuesit i morën më lirë mallrat e tyre.

Banka e Shqipërisë e ka justifikuar rënien e monedhës evropiane me bilancin e sektorit të jashtëm, që në 33 vite ekonomi e lirë, doli për herë të parë pozitiv, për shkak të ardhurave nga turizmi. Gjatë këtij viti u rritën gjithashtu remitancat dhe investimet e huaja. Por, analistët e tregut ende janë të ndarë në përgjigjen ndaj pyetjes: Sa ndikoi paraja informale në treg në mbiçmimin e lekut?

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA