Kosova, fluturime mbi Shqipëri/ Hapen korridoret ajrore! Që pasluftës fluturimet e Prishtinës kalonin mbi Shkup

28/12/2023 08:20

Në orët e para të së enjtes janë hapur korridoret ajrore mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka njoftuar se pas kësaj hapje, shkurtohen për 15 minuta udhëtimet ajrore për në perëndim dhe anasjelltas.

“Nga 1 janari bashkatdhetarët përveç se do të udhëtojnë pa viza, do të kursejnë edhe më shumë kohë”, shkruan Aliu.

Kosova dhe Shqipëria arritën marrëveshje për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Shqipërisë në vitin 2020. Kjo marrëveshje parasheh hapjen e dy pikave koordinuese ajrore.

“Shqipëria është në perëndim, ashtu si Mali i Zi e çdo pikë që hapet në këtë drejtim nënkupton edhe shkurtimin e udhëtimit”, u shpreh eksperti i aviacionit Albion Idrizi.

Marrëveshja deri më tani nuk është zbatuar për shkak se hapësirën ajrore të Kosovës e kontrollon misioni i NATO-s në Kosovë. Kjo kishte shtyrë edhe miratimin e procedurave teknike mes KFOR-it dhe Shqipërisë.

Njohësit thonë që me shkurtimin e kohëzgjatjes së fluturimeve, pritet që edhe biletat e udhëtimit të jenë më të lira. Sipas ekspertëve çmimi mund të bjerë deri në 6 për qind, apo 8 euro.

“Përparësitë nga një shkurtim i linjës së fluturimit, ka dy dimensione, e para është kursimi i kerozinës, pra kohëzgjatja dhe tjetra është kursimi në pagesën për shërbime të trafikut ajror”, u shpreh Idrizi.

Fluturimet për dhe nga Kosova deri më tani janë realizuar vetëm përmes hapësirës ajrore të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë muaj më parë, Kosova ka arritur marrëveshje edhe me Malin e Zi për shfrytëzimin e hapësirës ajrore të këtij shteti.

Top Channel